Nga Beti Njuma:
Mallkimi i një piramide
Ka banalitet të së keqes sipas përkufizimit të Hannah Arendt por ka edhe banalitet të së shëmtuarës. Piramida kësisoj si e kanë katandisur pas këtij rikonstruksioni mund të quhet pa frikë shembulli i këtij banaliteti dhe shëmtisë arkitekturore.
Në fillim donin ta bënin qendër kulturore, pastaj Bibliotekë Kombëtare, mandej Teatër Kombëtar, e Parlament, dhe tani një qendër inovacioni të sajuar, që ka përçudnuar arkitekturën e jashtme e të brendshme të objektit dhe kujtesën historike të qytetit. Një KITSC arkitekturor ngjyra-ngjyra, pa identitet që do të ngrinte nga varri edhe dy arkitektët e saj Klement Kolanecin dhe Vladimir Bregun.
Ky i fundit që projektoi edhe Pallatin e Kongreseve u nda nga jeta disa javë më parë me pengun se askush nuk i mori ndonjë mendim për “fëmijën” e tij para se ta shndërronte në një karagjozllëk bojnash e formash, si lego të miturish.
Po ky është “kitsch-i” i Ramës, që siç e ka thënë Fatos Lubonja kërkon t’u ofrojë shqiptarëve një tjetër imazh skenik nga forma, por edhe ky pa lidhje me historinë, kontekstin e territorit dhe jetën e vërtetë të njerëzve. Një projekt ku gjen ambicien delirante të pushtetarit për të krijuar një identitet të ri të kryeqytetit që dominon mbi identitetet e vjetër duke i margjinalizuar ata.
Në fillim të 2010-ës pati një debat të gjerë për ish mauzoleun e diktatorit që pati rekordin si muzeu më jetëshkurtër në botë, përuruar tetor 88 – mbyllur dhjetor 90. Kundër prishjes dhe tjetërsimit u përfshinë shumë emra të arkitekturës, medies, politikës, shoqërisë civile, letrave, historisë. Njerëz që u dhimbsej shkatërrimi i historisë dhe kujtesë e që mjerisht sot nuk kanë thënë gjysmë fjale për shndërrimin në paçavurue ( paçka se merr çmime arkitekturore ) të një tjetër godine simbol që mund të ishte shndërruar në muze të diktaturës.
Por siç po dëshmojnë me betonizimi e çdo gjurme të së shkuarës, talebanët e kujtesës nuk kanë respekt për të kaluarën e kryeqytetit andaj nuk prodhojnë dot histori dhe të ardhme. Maksimumi po vjedhin e plaçkisin atë që na kanë lënë paraardhësit tanë. Mjerisht, si ka qenë Tirana do të shihet veç në foto dhe dokumentarë.
Piramida është pllaçkitja, tallja, tallavaizimi me historinë dhe të shkuarën tonë në një qytet që dita ditës shkatërrohet, për ta lënë pa memorje, si një spital psikiatrik.