Kryetarja e Bashkisë Roskovec është regjistruar duke kërcënuar një punonjëse, më saktë sanitaren e Shkollës 9-vjeçare të fshatit Suk. Shkaku është sa banal, aq edhe i zakonshëm në një sistem ku çdo vend pune, sado modest, vlerësohet nga përkatësia politike dhe jo nga aftësia.
Në regjistrimin e shfaqur në emisionin e Syri Televizion, ‘Piranjat’ dallohet qartë presioni ndaj pastrueses, e cila ka guxuar të marrë pjesë në një miting të zhvilluar nga opozita në Roskovec. Dhe kjo, sipas kryetares së bashkisë, është mosmirënjohje ndaj saj.
Kishim dëgjuar nga të gjitha, por asnjëherë se kishim menduar se një kryetare bashkie me mbi 30 mijë banorë do të merrej me një sanitare shkolle, që faj të vetëm ka bërë që ka shkuar në mitingun elektoral të opozitës.
Në audio-regjistrimin e bërë publik te ‘Piranjat’ dallohet qartë presionin që i bëhet sanitares për vendin e punës dhe këshillat që i jep Bufi për shoqërinë me të cilat duhet të rrijë 46-vjeçarja.
Nuk është barcaletë as ndonjë spektakël humori i fundjavës. Është realiteti i shoqërisë shqiptare i njëjtë me atë që kemi lënë pas tre dekadat e shkuara. Ndryshimi është se dikur të fusnin në burg ndërsa sot të lënë pa bukë. Kontrolli ndaj punonjësve të administratës, arrin në nivele edhe më banale, madje në kufijtë e së paimagjinueshmes.
Pasi dëgjojnë rrëfimet e dy zonjave ‘Piranjat’ drejtohen tek bashkia për të takuar kryetaren. Pas refuzimit të parë ajo vendos t’i presë në zyrë. Fillimisht mohon gjithçka dhe madje thotë se do bëjë një denoncim për sanitaren pasi nuk është ajo në audio. Pas pak minutash e tensionuar nga faktet kërkon mbylljen e kamerës dhe pranon gjithçka duke i kërkuar ‘Piranjave’ të mos publikohet sepse e dëmton imazhin e saj në këtë fushatë. Pasi ka kërkuar falje, kupton që përgjimi do të transmetohet, kështu nis edhe njëherë të ndërtojë alibinë e saj të mbrojtjes duke justifikuar se në fushatë dilet në mitingje ndërsa herë të tjera jo.
Kryetarja nuk e di nëse i ka thënë vartësve të shkojnë apo jo në mitingun e Ramës, rëndësi ka që në mitingjet e Berishës, nuk duhet të shkelin. Dhe kur ‘Piranjat’ duket se i diskutuan të gjitha me të parën e Roskovecit, ajo i shpreh edhe një kërkesë: ‘Të lutem mos e transmetoni sepse më prish punë. Do e japësh? Me kë të flas unë? Si e ke emrin ti? Mos e jep njerëzisht ta kërkoj’, përgjërohet Bufi.
‘Piranjat’ e kanë të rëndësishme të sqarojnë se kompromiset nuk janë pjesë e formatit të emisionit që ata përfaqësojnë dhe para se të largohen, kanë edhe ata një porosi për kryetaren e Bashkisë Roskovec: ‘Duhet të lërë të qetë sanitaren dhe të mos hakmerret duke e larguar sërish nga vendi i punës pas transmetimit të rastit.’/syri.net/