Së fundmi qeveria Rama miratoi dhe i përcolli Kuvendit një projekt-ligj që eliminon më tej kushtin e “njohurisë së gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë” për një kategori personash të huaj që marrin shtetësinë shqiptare. Dokumentet shoqëruese të p/ligjit nuk japin asnjë shpjegim për këtë ndryshim specifik. Ministri i Brendshëm dhe propaganda qeveritare e kanë prezantuar p/ligjin si lehtësim të kushteve të talenteve sportive të huaja që përmes shtetësisë “do të gjallërojnë jetën sportive e do të përfaqësojnë Shqipërinë në kampionate ndërkombëtare”. Kjo e fundit duhet të debatohet nëse është udha e dëshiruar, e dobishme apo edhe më e përshtatshme për të fituar medalje olimpike. Por amendimi i mësipërm nuk është në kategorinë e rasteve të veçanta ku “ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit” (neni 9) por vlen për rastet e përgjithshme (neni 8).
Kategoria e të huajve që marrin pasaportën tonë sipas këtij amendamenti përfshin prindërit e të miturve të huaj, kur këta të fundit tashmë kanë përftuar shtetësinë shqiptare; nuk është e qartë pse të tërë këta prindër, të cilët me mesatare demografike në përgjithësi do të jenë në moshë të mesme, nuk do të kenë nevojë të mësojnë shqipen dhe as të dinë se kush ishte Skënderbeu dhe Ismail Q. Vlora. Ndoshta mund të ishin bërë përjashtime për raste individuale pamundësie. Por qeveria me këtë ligj ka dashur një përjashtim toptan. Dikush që mund të mendojë se kategoria më lart është e vogël në numër dhe do mbetet pa qeder, duhet të mësojë se ligji për shtetësinë përjashton tashmë nga kushti i njohjes së gjuhës e historisë por edhe nga kushte ligjore të mëtejshme kategori të tjera qytetarësh të huaj. Ligji për shtetësinë është miratuar dy herë në Kuvend nga mazhoranca rilindiste dhe opozita jeniçere në v. 2020. Herën e dyte mbasi Presidenti Meta e ktheu për rishqyrtim sepse e gjeti në mospërputhje me Kushtetutën e disa konventa ndërkombëtare.
Problemet e këtij ligji meritojnë një shtjellim të detajuar më vete. Por me amendimet e radhës, qeveria do të shtojë problemet që ky ligj sjell për vendin. Fillimisht duke mohuar pjesërisht gjuhën shqipe që ka qenë kordoni identitar kryesor në mos i vetmi i popullit shqiptar në shekuj; dhe që u bë baza e formimit të ndërgjegjes kombëtare në shek. 19. Dhe që prandaj duhet te mësohet nga gjithë ata të huaj që duan të bëhen shqiptarë.
Pastaj duke mundësuar që shtetësia të blihej me pará në dorë për mes një PPP-je edhe nga “derri e dosa” (të më falin ata që nuk e shohin kontekstin e ri) d.m.th. nga njerëz me probleme që nuk duan të lidhin jetën me Shqipërinë dhe as me kulturën shqiptare por vetëm të përdorin e të keqpërdorin atributet e shtetit tone; duke udhëtuar lirshëm në Evropë. E ndërkohë që “pasaportat e arta” janë bllokuar nga Bashkimi Evropian efektin e tyre mund ta shohim paralel me lejet e punës për “bangladeshasit”. Siç ishte e parashikueshme këta punëtorë nga Azia punojnë dy-tre muaj këtu e pastaj zhduken për t’u shfaqur në Austri dhe Evropën e kamur ku ose kërkojnë azil ose punojnë në të zezë.
Prandaj një detyrë e opozitës në këto rrethana është jo vetëm të kundërshtojë “amendamentin anti-shqip” me argumente e me votë por edhe të angazhohet se ditën që do të jetë mazhorancë do të fshijë këto devijime nga Fletorja Zyrtare dhe do e rishqyrtojë tërësisht legjislacionin e shtetësisë.