Ish kryeministri Sali Berisha ka mbyllur fushatën elektorale në Elbasan pasditen e kësaj të premte. Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij se Edi Rama u tall me qytetarët duke bërë premtime të rreme për rrogën mesatare 900 euro.
Ai e akuzoi kryeministrin se e hapi fushatën me tritol dhe e mbylli me arrestime ndërkohë që i kërkoi qytetarëve të Elbasanit votën për Luçiano Boçin, intelektualin e shquar që do të sjellë ndryshimin në këtë qytet.
“Ai e nisi këtë fushatë me tritol, e mbylli me arrestime, vazhdoi me një seri mashtrimesh. A nuk premtoi ai rrogën mesatare 900 euro? A nuk tallet ai në këtë mënyrë me qytetarët shqiptarë të c9ilët përballen me skamjen dhe varfërinë. Edi Rama do t’i zëvendësojë shqiptarët me bangladeshas. Fushata u zhvillua me tallje cinike ndaj qytetarëve.
A ka gjë të përbashkët kjo fushatë me ju? Me fisnikërinë tuaj? Ju jeni njerëz të qytetëruar dhe nuk mund të pranoni një qëndrim të tillë. Unë ju ftoj ju të reflektojmë këto 48 orë që kanë mbetur. Për atë që ne si komb kemi vuajtur më shumë në tërë ekzistencën tonë. Ne kemi kaluar shekuj e shekuj dhe dekada e dekada në regjimet moniste. Rrallë mund të gjendet një komb që ta ketë pësuar më shumë se ne shqiptarët. Edi Rama u angazhua në një luftë të egër primitive kundër opozitës. Bën gjithçka të shkelmojë dhe dhunojë votën.
Gjiknurët, Ballët etj. shpërndajnë si hiena para dhe blejnë vota por kjo blerje votash e cila konvertohet e tëra në pushtetin e një njeriu i solli çdo familjeje shqiptare një fatkeqësi në rritje, largimin e fëmijëve. Koha është me këtë reflektim t’i japim atë që Meriton Edi Rama. Qytetarët të votojnë për Luçiano Boçin, intelektualin e shquar, njeriun që do Elbasanin, që ka hartuar bashkë me ju projektin e një Elbasani ndryshe, qytet dinjitoz për qytetarët e vet. Ju ftoj me datën 14 të votoni Luçiano Boçin, të votoni 1-shin, koalicionin Bashkë Fitojmë”, deklaroi ai.