Vitin e shkuar kam qenë disa herë në jug të vendit, jo si turiste siç shkoj çdo vit, por për të investiguar çështjen e pronave dhe investimet strategjike. Aty banorët tregonin historinë e një biznesmeni të fuqishëm që i kishte dërguar një grup me armë një investitori tjetër, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar të tërhiqej nga zgjerimi i projektit dhe i pengonte daljen në det.
Banda kishte hyrë brenda në kantier, i kish drejtuar armët punëtorëve dhe i kish dëbuar jashtë. Menaxherët e alarmuar kishin njoftuar policinë. Policia shkoi, të fortët i drejtuan armët dhe policëve dhe ata u kthyen dhe hipën në furgon. Çështja u zgjidh vetë pastaj, pasi investitori që “pengonte” rrugën u tërhoq nga ndërtimi.
Nga kjo histori kupton se sa fuqi kanë 6 policë të një komisariati dhe 1 polic i vetëm që shkon e arreston një kandidat për kryetar bashkie që ka dhe përkrahjen e disa partive politike në Greqi. Unë e kam të pamundur të besoj se ky polic e ka bërë në “kokë të tij”, pa marrë direktivë dhe mbrojtje nga lart.
Fredi Beleri mund të mos jetë kandidati më i mirë për opozitën dhe as nuk i jep dinjitet frymës për ndryshim që predikon së fundi. Ai mund të jetë një person që duhet të hetohet për shumë akuza dhe mbase sot mund të ishte në burg e jo kandidat, por që ai të jetë arrestuar pa urdhër politik dhe në të mirë të interesit të vendit këtë nuk e besoj. Beleri sot është arrestuar se me ç’duket ka kërcënuar hapur projektin ekonomik të jugut të kryeministrit dhe biznesmenëve afër tij.
Por deri tani Ramës nuk i ka interesuar se çfarë ka thënë dhe ka bërë në të shkuarën Beleri. Po t’i interesonte Shqipëria kryeministrit, Beleri do të ishte arrestuar 100 herë në të shkuarën dhe për disa akuza mund të ishin bërë hetime më të plota. Por interesi për Himarën nuk është te nacionalizmi grek dhe as te blerja e votës, por tek pushteti ekonomik. Nëse Rama nuk fiton në Himarë, bllokohen 1 miliard euro investime të sipërmarrësve të mëdhenj.
Nëse Rama humb Himarën, fajin nuk e ka kandidati i opozitës dhe as blerja e votave, por masakra që është bërë me ndërtimet në jug dhe me pronat e banorëve. Shumica e tyre nuk ka regjistruar ende shtëpinë dhe tokat.
Praktikisht po të mos kesh marrëveshje me ndonjë nga “oligarkët” që po ndërtojnë në jug, nuk kalon dot derën e hipotekës. Disa të tjerëve prona u është marrë me dhunë, ndërsa mijra metra tokë – shtet (pasuri e të gjithë shqiptarëve), u janë dhuruar një grushti biznesmenësh.