Në një sulm të paprecedentë dhe shproporcional, kryeministri i vendit prej gati një jave është marrë me kandidatin e opozitës për bashkinë e Himarë. Me një fjalor tronditës, Edi Rama ofendoi personalisht Belerin në Himarë, për të vazhduar më pas në takime të tjera elektorale si ai në Tiranë dhe në studio televizive, madje deri një orë para arrestimit të Belerit nga forcat e policisë.
Sulmet e Ramës nisën disa ditë parë nga publikimi i një interviste të Belerit tek “Protothema” në Athinë, që ngjalli mjaft polemika për të ashtuquajturin helenizëm të Himarës, por që vetë kandidati për bashkinë i cilësoi si manipulime në përkthim.
Para kësaj interviste, kryeministri i Shqipërisë e etiketoi Belerin në sheshin e Himarës si analfabet, gomar, dru, injorant etj, duke provokuar me qëllim ndjenjat e përkrahësve të Belerit dhe opozitës. Më pas, duke marrë shkas nga intervista në fjalë, Rama shpërtheu në sulme edhe me të rënda, duke rrëmbyer flamurin e patriotizmit. Etiketimi “maskara” për një kandidat të opozitës në garë, ishte i padëgjuar më parë, për më tepër nga një politikan që predikon se kurrë nuk përdor fyerje e sulme personale ndaj kundërshtarëve.
Gjithë kjo kryqëzatë e një kryeministri ndaj një kandidati të një bashkie relativisht të vogël, që kulmoi me arrestimin e këtij të fundit të enjten pas mesnate, duket e çbalancuar dhe gati në kufijtë e çmendurisë. Gjithë ai Edi Ramë që për, mbi një javë rresht në fund të fushatës, merret me Fred Belerin me artilerinë më të rëndë të fjalorit të tij. Pse i gjithë ky sulm tërësisht jo proporcional?
Të mendosh se Rama u fye rëndë në ndjenjat e tij patriotike, është mëse qesharake. Po në atë shesh të Himarës, vetëm pak kohë më parë, kryeministri grek Micotaqis do të deklaronte: “Falenderoj himariotët që kanë mbajtur të ndezur në zemrat e tyre flakën e helenizmit dhe ortodoksisë”. Nuk pati asnjë reagim nga Tirana zyrtare për “flakën e helenizmit”, madje me bisht ndër shalë e kokën ulur, u pranuan edhe dekoret me flamurin madhështor grek edhe kontekstin e qartë të konsiderimit të himariotëve si minoritet.
Mirëpo kryeminstri i Shqipërisë “u prek” në ndjenjën kombëtare nga intervista e Belerit dhe vendosi të përdorë kundër tij gjithë artilerinë e rëndë. Këtu vetëm për patriotizëm që nuk bëhet fjalë. Atëherë përse e ktheu në shënjestër Edi Rama, kandidatin e bashkisë së Himarës? Kush është aryseja e një sulmi ta pazakontë në kulmin e fushatës ndaj një individi të vetëm? Për më tepër që Rama e ka patur të qartë se këto sulme personale dhe aq më shumë arrestimi i kandidatit të Himarës (policia rezulton se e kishte vënë në përgjim prej një muaji dhe kryeministri duket e pamundur të mos ketë patur informacion) do të ngjallte reagimin e fortë të Athinës. Çfarë mund të justifikojë këtë aksion me një kosto jo të vogël në marrëdhëniet mes dy vendeve?
Arrestimi i Belerit/ Reagon Mitsotakis: Ngjarje e shëmtuar, lirojeni menjëherë
Një shpjegim mund të gjendet në tendecën e zakonshme të regjimeve autoritare, që nëpërmjet një shembulli të bujshëm, të frikësojë çdo kundërshtar në parg të zgjedhjeve. Në ethet e një fushate ku kryeministri kërkon të eleminojë çdo filizë shprese të opozitarizmit, aksioni ndaj Belerit inkurajon të vetët të vazhdojnë të qetë futjen e duarve në këto zgjedhje dhe të trembë e eleminojë çdo rezistencë nga kundërshtarët. Po në mendësinë e regjimeve autoritare, edhe konfliktet e mundshme me fqinjët shërbejnë për të forcuar mitin e liderit dhe për të zhvendosur vëmendjen nga sakatimi i demokracisë në vend. Propoganda i ka gati veglat e saj për t’i thurrur lavde liderit që përballet me nacionalizmin e fqinjëve dhe për të shmangur debatin mbi zgjedhjet e lira e demokratike në vend. Ramës i duhet një fabul për të mbuluar atë që pritet të ndodhë më 14 maj.
Pas deklaratave të Ramës, arrestohet Fredi Beleri (pamjet)
Mund të ketë dhe shumë arsye të tjera, që më kohë do të dalin në dritë, por një gjë dihet me siguri. Beleri është shumë i vogël për të justikuar kryqëzatën e ethshme të kryeministrit të vendit ndaj tij. Arrestimi i tij dy ditë para votimeve, fsheh diçka më të madhe që ka kohë që po gatuhet.
©Lapsi.al