Partia Demokratike doli zyrtarisht në një konferencë për shtyp për të denoncuar parregullsitë zgjedhore.
Përfaqësuesi për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso tha se policia është jashtë funksionit.
Sipas tij, zyrtarët e Edi Ramës po shkaktojnë probleme në qendrat zgjedhore.
DEKLARATA E PLOTE
Vëzhguesit tanë dhe raportuesit nga terreni kanë njoftuar për një seri problematikash në qendrat zgjedhore, shkaktuar nga drejtorë bashkish, funksionarë të administratës dhe implikime të policisë, me veprime apo mosveprime.
Sipas Pikës 7 të Urdhrit të KQ të Zgjedhjeve, kushdo që konstaton shkelje ka të drejtë të njoftojë, krahas strukturave zgjedhore edhe Policinë e Shtetit. Njoftimi duhet bërë me shkrim ose te numri i Emergjencës 112.
Policia është e detyruar të verifikojë informacionin dhe në rast të konstatimit të një shkeljeje duhet te veprojë.
Dhe këtu qytetarët që kanë dashur të raportojnë shkelje, kanë hasur në vështirësinë e parë. Numri 112 i Policisë është jashtë funksionimit. Nuk e dimë nëse ky është defekt teknik, paaftësi apo është bërë në mënyrë të qëllimshme, por i bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës dhe të respektojë ligjin.
Urdhri i KQZ gjithashtu përcakton qartë se persona të paautorizuar duhet të mbajnë një distancë nga objektet zgjedhore prej të paktën 150 m.
Mosrespektim të kësaj distance, madje prani flagrante në qendrat e votimit të patronazhistëve, të drejtorëve të administratës dhe të personave të tjerë të paautorizuar janë raportuar sot gjatë gjithë paradites në bashki në të gjithë territorin:
Disa prej problematikave te hasura në procesin e votimit deri me tani vijojnë si më poshtë:
-në mbi 500 qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja e identifikimit elektronik, pavarësisht se operatoret jane paraqitur ne kohë.
-në pjesën më të madhe, sipas raportimeve tona, ka grumbullime masive njerëzish të paautorizuar në oborret dhe mjediset hyrese të QV, patronazhistë dhe drejtues të administratës
-policia e njoftuar për çlirimin e qendrave të votimit nga patronazhistët më së shumit nuk përgjigjet, por edhe kur përgjigjet refuzon të zbatoje Urdhrin, duke e nxjerrë tërësisht veten jashtë funksionit kryesor sot: mbarëvajtja e zgjedhjeve
-ka raportime të shumta që boja me të cilat shënohen gishtat fshihet lehtësisht duke ngritur dyshime për votim më shumë se një herë.
Raste arbitrare të ndërhyrjes në procesin e votimit janë regjistruar sidomos në Durrës. Drejtori bashkiak Roni Shqopa, Davide Ndoj, kryetare e njësisë administrative Spitallë, Flamur Gjuzi drejtor i Sigurimeve Shëndetësore, dhe Artur Feto i OSHEE janë parë në qendrat e votimit në qytet dhe rrethina.
I bëjmë thirrje policisë të kthehet në krye të detyrës, të njoftojë KZAZ për shkeljet dhe në përfundim të hartojë procesverbalin për shkeljen përkatëse.
Të gjitha këto ndërhyrje hileqare në proces nga administrata dhe drejtorët e bashkive të Ramës nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për te tensionuar situatën dhe për tu munduar t’i bëjnë parapritë humbjes së së sigurt.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka vetëm një thirrje për qytetarët shqiptarë: dilni dhe shprehni vullnetin tuaj të lirë. Asgjë nuk e ndal valën e madhe të fitores dhe ndryshimit.
Bashkë fitojmë!