“Fredi Beleri fiton zgjedhjet lokale në Himarë”, është ky titulli i mediave greke pas shpalljes së rezultateve paraprake të cilat kanë pasqyruar gjerësisht edhe arrestimin e tij.
Mediat e shtetit fqinj kanë shkruar edhe për festën që shpërtheu në rrugët e Himarës ku mbështes të tij u vendosën para zyrave të OMONIA-s, ku brohorisnin emrin e Fredi Belerit.
Fredi Beleri, kandidati që përfaqëson minoritetin grek dhe koalicionin Bashkë Fitojmë fitoi ndaj kundërshtarit të tij Jorgo Goro, i cili përfaqësonte PS dhe ishte kandidat aktual i Bashkisë Himarë.
Rezultatet paraprake u shpallën të hënën në mëngjes, pas një ndërprerjeje në procesin e numërimit të votave.
Aktualisht Beleri ndodhet në paraburgim pasi u ndalua nga policia shqiptare dy ditë para zgjedhjeve me akuzën e blerjes së votës.
Arrestimi i tij ka acaruar marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, ku kjo e fundit e percepton si një lëvizje strategjike të qeverisë Rama për të përfituar në dinamikën e brendshme parazgjedhore.