Tentoi të kalonte në tragetin e linjës Sarandë-Korfuz me kartë identiteti false, dënohet me 1 vit burg turku në Sarandë

0
106

Niyazi Celikel është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Sarandës pasi ka përdorur dhe ka tentuar të kalojë kufirin me një kartë identiteti false holandeze. 60-vjeçari u vu në pranga nga policia kufitare në Portin e Sarandës më 20 gusht 2022 e prej asaj dite mbahej në paraburgim.

Çelikel tentoi të kalonte nëpërmjet linjës Sarandë-Korfuz me traget, duke përdorur një kartë identiteti holandeze, e cila dyshohej si e falsifikuar. Nga skanimi që i është bërë kartës nga ana e shërbimeve të policisë, kanë rezultuar të dhënat e një shtetasi tjetër, konkretisht shtetasit M. Y.

Çelikel ka deklaruar se kartën e identitetit holandeze e ka bërë në Turqi tek një person me emrin Ahmet, të cilin e njeh sepse ka në lagje në zonën ku banon. Ai ka deklaruar se e ka bërë kartën për të shkuar në Korfuz për një vizitë turistike dy- tre ditore. Sipas personit nën hetim, duke qenë se nga Turqia nuk mund të shkonte direkt në Greqi për shkak se u kërkojnë vizë, ka përdorur kartën në fjalë, ndonëse ajo përmban të dhënat e dikujt tjetër.

‘Balkaweb’ shkruan se sipas sistemit TIMS ka rezultuar se mbajtësi real i identiteti që ndodhej në atë kartë, konkretisht M. Y., 45 vjeç, rezulton të ketë hyrë në shtetin shqiptar 2 herë përmes Aeroportit të Rinasit dhe në datë 26.07.2022 ora 14:58 është larguar nga porti i Sarandës në drejtim të Korfuzit. Vetë Çelikel, rezulton të ketë hyrë në shtetin shqiptar 1 herë përmes Aeroportit të Rinasit dhe në datë 20.08.2022 18:09 është kapur në pikën Kufitare Porti Sarandë në tentativë për t’u larguar drejt Korfuzit.

Prokuroria kërkoi që i pandehuri të dënohet me 18 muaj burgim, uljen e 1/3 së dënimit të dhënë dhe dënimin përfundimisht me 12 muaj dhe shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” pasi paraburgimi i vuajtur përkon me dënimin që kërkohet nëse pranohet nga Gjykata.

Gjyqtarja Suela Xhani, e deklaroi fajtor të pandehurin për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose e vizave” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe në bashkim të dënimeve e dënoi me 18 muaj burgim, por në aplikim të gjykimit te shkurtuar, e dënoi atë përfundimisht me 12 muaj burgim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here