Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur sot Kryesinë dhe grupin parlamentar për të diskutuar rezultatin e zgjedhjeve lokale të 14 majit, problematikat e hasura para, gjatë dhe pas procesit. Në fjalën e tij ai u shpreh duke thënë se:
Berisha: Qeveritarët dhe zyrtarët janë sjellë si terroristë elektoralë.
Si kurrë ndonjëherë më parë, gjatë këtyre ditëve po takoj kandidatë, drejtues dhe po përpiqemi të nxjerrim shumësinë e faktorëve.
Por kjo ishte një garë e presioneve terroriste në rrafshin psikologjik, të ministrave, zëvendësministrave, zyrtarëve si asnjëherë më parë.
Belinda Balluku arrin gjer aty sa thërret në kërcënim të hapur në shtab, vëllain e kandidatit tonë në Mat dhe i thotë: Ç’punë ke ti me fushatën elektorale?
Me dhjetëra e dhjetëra demokratë në Bulqizë u kërcënuan që të mos marrin pjesë në komisione. Administrata u soll si një polici e shëmtuar politike.
Individë që takonin kandidatët tanë, merreshin në proces, një çerek ore, pesë minuta mbrapa. Pse e takove, ç’punë ke ti me të, ç’punë ke me zgjedhjet? Kjo ka ndodhur në Elbasan, kjo ka ndodhur kudo.
Në qendrat e votimit, një pushtim i qendrave të votimit kudo në kundërshtim flagrant me ligjin nga punonjës të administratës.
Me qindra, në mos mijëra qendra, në kundërshtim flagrant me ligjin, komisionerët ishin punonjës të bashkive socialiste.