Autoriteti i Konkurrencës urdhëron koncesionarin të lejojë shërbimin taksi nga Aeroporti i Tiranës pa kufizime

0
121

Komisioni i Konkurrencës ka urdhëruar kompaninë koncesionare të Aeroportit të Tiranës të lejojë aksesin pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt këtij aeroporti.

Në mbledhjen e ditës së sotme, Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim rastin në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.

Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit të tregut të shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, u konstatua se, në zonën e jashtme të mbërritjeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, nëpërmjet një tabele sinjalistike nuk lejohet aksesi që subjekte të tjera të licensuara të ofrojnë shërbimin e taksive për udhëtarë nga aeroporti drejt Tiranës. Ky akses lejohet vetëm për taksitë e ndërmarrjes Auto Holiday Albania.

Bazuar në nenin 44 të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës, referuar sjelljes së ndërmarrjes Tirana International Airport në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi ekzistencën e një rasti urgjence, për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi marrjen e masës së përkohshme ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport. Komisioni urdhëroi lejimin e aksesit pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si edhe heqjen e tabelës me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, e cila ndalon dhënien e këtij shërbimi.

Në rast të moszbatimit të vendimit për masën e përkohshme, ndërmarrja Tirana International Airport do të ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Më herët, me vendimin e datës 11 maj, Komisioni i Konkurrencës pati vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, mbështetur në të njëjtën problematikë.

Tirana International Airport është kompania që operon me koncesion aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, që prej vitit 2004. Në vitin 2020, kompania koncesionare u ble nga grupi shqiptar i biznesit Kastrati Group, për 71 milionë euro. Vitin e kaluar pronësia u transferua me një kontratë shitjeje prej 45 milionë eurosh tek Kastrati Aviation Holding, kompani me të njëjtin pronar si Kastrati Group.

Ky koncesion dhe ndërmarrjet e tjera që ofrojnë shërbime të lidhura me të kanë qenë disa herë objekt i hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës. Vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës mbylli procedurën e hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza” dhe gjobiti ndërmarrjen Star Parking Albania në vlerën e 1% të xhiros vjetore ose rreth 1.6 milionë lekë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here