Arrestimi i kandidatit të bashkisë të Himarës me akuzën e dyshimtë se po blinte vota është një rast tipik që tregon cektësinë dhe malinjitetin e propagandistëve të rilindjes.
Boll të marrësh në dorë telekomandën e tv-së dhe të shfaqen gjithandej, gazetarë, analistë, historianë e politikanë që përsërisin një refren të panevojshëm. Ata e përshkruajnë Fredi Belerin si një antishqiptar, shovinist grek, terrorist të masakrës së Peshkëpisë, njeri që i ka shpëtuar burgut më kot, etj.
Pastaj debati zhvendoset në një hulli edhe më të panevojshme, në atë se deri ku shtrihet minoriteti grek në Shqipëri dhe se sa të lashta janë rrënjët arbërore në Himarë.
Kur dikush tenton të pyesë se a e kanë lexuar dosjen në bazë të së cilës iu vunë prangat Belerit, kjo përpjekje bie në vesh të shurdhër.
Enkas, bëhet sikur harrohet, se fituesi i burgosur i zgjedhjeve nuk po gjykohet as për cënim të kushtetutës, as për ndryshim kufijsh, as për përdhosje simbolesh. Përplasja zhvendoset nga ekzistenca ose jo e një krimi elektoral, tek tema etnike apo nacionaliste. Qëllimi është që procesi publik për të akuzuarin mos bëhet në bazë të fakteve, por sipas mendësisë tribale nëse ai është burrë i mirë apo burrë i keq.
Të mos ngatërrohemi!
Kjo teknologji nuk vihet në punë vetëm për të justifikuar goditjen e një ‘nacionalisti të poshtër grek’. Fabula e ‘burrit të keq’ është bërë e zakonshme për të përligjur çdo shkelje të ligjit nga Rama dhe çdo veprim fashistoid të shtetit që ai kontrollon me dorë të hekurt.
Kur kryeministri i çoi ruspat pronarit të News 24, si ndëshkim ndaj vijës editoriale të mediave të tij dhe si shantazh për ta detyruar të shesë televizionin, akuzatorët e sotëm të Belerit përsërisnin të njëjtin refren. Ata anashkalonin pyetjen se përse Rama po shembte një objekt që e kishte lejuar me firmën e tij, por këmbëngulnin tek fakti se pse duhet të ndërtonte buze detit, Irfan Hysenbelliu. Ata nuk merreshin me ligjshmërinë e aktit, por me karakterin e viktimës.
E njëjta demagogji përsëritet si dy pika uji me rastin Becchetti. Fajit të qeverisë, që i kushtoi taksapaguesve shqiptarë dënimin me mbi 110 milionë euro dëmshpërblim, mëtohet ti mbivendoset portreti i një biznesmeni aventurier, që nën fustanet e Simona Venturës dhe Sabrina Ferillit, fshihte talentin e grabitësit ndërkombëtar të enteve publike.
Raste të ngjashme ka me dhjetra. Ato fillojnë që nga damkosja e aktivistëve për mbrojtjen e teatrit, që në vend ti gjykonin për drejtësinë e kauzës u hapën letrat e proceseve të para dhjetë viteve e deri tek i ndjeri Klodian Rasha, që pasi e vranë, i shpikën më kot fabulën se ishte me armë në dorë.
Ky fajësim i viktimës, si alibi për çdo krim, është në fakt metoda që po përdor Edi Rama, për të vjedhur, masakruar nxjerrë jashtë loje, kundërshtarët e tij politikë. Ilustrimi më flagrant i saj u pa në zgjedhjet e fundit.
Kështu Berisha e meritonte ti rrëmbehej në mënyrë arbitrare vula, komisionerët, numëruesit, financimi publik, pasi qe një ‘burrë i keq’, që aleati ynë i madh e kishte shpallur ‘non grata’. Votuesit e tij duheshin blerë apo intimiduar, ngaqë ai përfaqësonte të shkuarën. Ai dhe Meta nuk duhej të kishin të drejta të barabarta dhe privilegjin e nje gare të lirë dhe të ndershme, pasi ata nuk ngërthenin standardet e duhura morale.
Mirëpo, teknologjia që Rama përdor kundër rivalëve politikë, ajo për të vendosur biografinë përpara fakteve, perceptimin përpara ligjit, gjykimin e njishit përpara shtetit të së drejtës, po kopjohet në mënyrë bajate nga ushtarët e tij. E njëjta mënyrë se si përligjen krimet në majë të piramidës po vizatohet si mbi fletë kalk edhe për të justifikuar ato që ndodhin në bazë të shoqërisë.
Pra nëse shefi i jep të drejtën vetes për të goditur nën brez opozitën, për faktin se ajo drejtohet nga Likja apo Sala, vasalët e tij, pa e vrarë mendjen, aplikojnë të njëjtën mendësi për të përligjur burgosjen, shkatërrimin, sekuestrimin apo denigrimin e kujtdo qoftë.
Kjo përtaci intelektuale, ky varfërim idesh dhe argumentesh është një sjellje tipike mercenarësh. Ky është shembulli më i mirë që tregon se ata cicërojnë pro asaj për të cilën paguhen dhe jo në funksion të asaj që mendojnë. Kjo është prova e të bërit të një pune angari, tek e cila as merr mundimin të besosh.
Prandaj, sot, kur dëgjojmë korin e patriotëve me mëditje që janë vërsulur si me sustë kundër shovinizmit, helenizimit dhe antishqiptarizmit të Fredi Belerit, nuk duhet të shqetësohemi aspak. Këto nuk nuk janë shenjat se vendi po rrëshqet drejt ekstremizmit, ksenofobisë dhe nacionalizmit. Ato janë thjesht një furtunë në gotë. Një zakon i vjetër i ushtarëve të Ramës për të damkosur viktimën, në mënyrë që të justifikohet krimi i urdhëruar prej shefit.