Po shkon drejt fundit “thrilleri” me spiunë rusë që udhëtuan drejt Shqipërisë për të marrë informata në Gramsh në shërbim të fuqive armike. Me vendim gjykate dolën nga burgu dy rusët Svetlana Timofeeva e Mikahil Zorin, dhe ukrainasi Fedir Alpatov.
Çudia thonë shqiptarët zgjat 3 ditë. Për rusët, zgjati 9 muaj.
Aq kishin mundësi prokurorët e Elbasanit, të drejtuar nga Kreshnik Ajazi, që t’i mbanin në burg pa prova. Deri tani duhej t’i kishin mbledhur faktet për akuzën e rëndë që ngritën, atë të spiunazhit. Gjullurdia e zhurmshme që prokurorët krijuan duhej justifikuar duke nisur gjyqin. Në vend të kësaj, ata u dhanë të drejtë të arrestuarve dhe pranuan lirimin e tyre nga burgu.
Ishin vërtet spiunë apo blogerë të apasionuar këta rusë? Ende sot kjo është mister, pasi prokurorët pranuan lirimin e tyre, por nuk pranuan tërheqjen e akuzës. Ajo që kuptohet është se provat ende mungojnë. Me gjasë, historia e spiunazhit është një bllof.
Në fakt, kur u konfirmua në 22 Gusht të vitit 2022, incidenti ngjalli panik se pas këtyre personave fshiheshin ndërhyrje të rrezikshme në dritën e zhvillimeve në Ukrainë.