Sanqiange, një personazh kinez i rrjeteve sociale, u gjet i vdekur pasi kishte pirë disa shishe me pije alkoolike Baijiu, ndërsa filmonte veten. Ai e bëri këtë si dënim, pasi humbi lojën ndaj një “influencer”-i tjetër.
“Nuk e di sa kishte pirë para se të nisja ta shikoja unë në “live”. Por, vetë e pashë të përfundonte tre shishe para se të fillonte një të katërt”, tha shoku i të ndjerit.
Sanqiange ishte i njohur tashmë për “live”-t e tij, duke marrë pjesë në këto lloj sfidash, në të cilat ai pinte sasi të mëdha pijesh alkoolike.
Siç shpjegohet nga BBC, vdekja e Sanqiange ka të ngjarë të hapë një debat për rregullimin e një sektori që tashmë ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve kineze për praktikat dhe sfidat e çuditshme në të cilat personazhet e ndryshme marrin pjesë. Në fakt, autoritetet e vendit kanë ndaluar tashmë personat nën 16 vjeç që të dhurojnë para dhe kanë kufizuar aksesin në rrjete sociale pas orës 22:00 për njerëzit e kësaj moshe.
Nga ana tjetër, Administrata Kombëtare e Videos dhe Televizionit të Kinës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit, kanë marrë masa për të ndaluar “31 sjellje të pahijshme të transmetuesve të drejtpërdrejtë”. Për shembull, “inkurajimi i përdoruesve që të ndërveprojnë në një mënyrë vulgare” ose “nxitja e fansave të sulmojnë me thashetheme”.