Rritja e pagave të deputetëve në 310 mijë lekë ka irrituar të moshuarit, për të cilët nuk ka ndryshuar asgjë dhe indeksimi madje është shtyrë për në tetor. Hendeku midis pagave të larta dhe pensioneve të ulëta po thellohet në një kohë kur përballja me çmimet e shtrenjta të ushqimeve vazhdon dhe pamundëson edhe blerjen e ilaçeve.
“Kur rriten pagat, të rriten për të gjithë; edhe për zyrtarët edhe për kompanitë private edhe për ne pensionistët.”
“Me aq të ardhura sa marrim neve, nuk përballohet.”
“Shife sa kam marrë një pension, sa të ha një copë bukë.”
“Ne i duam pensionet se kemi punuar shumë se kemi punuar në qytete të ndryshme, si arsimtarë dhe minimale marrim. Bonuset janë një kalimtare më mirë t’i japin tamam ose të shtojnë pensionin.”
Deklarata të pensionistëve
Për kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, Faik Xhani, lënia pas dore e pensionistëve do të provokojë reagim, deri në protesta masive.
“Çdo deputet 400 mijë vota i marrin prej kësaj shtrese çfarë po i japin? Neve do të bëjmë ballafaqimet tona dhe mbi këtë bazë do të reagojmë edhe me protesta masive”.
Kryetar i shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”
Si zgjidhje kryesore pensionistët presin përcaktimin e minimumit jetik, bazë e cila do të mund të reformojë edhe skemën e pensioneve.
“Shumë i rëndësishëm se mbi këtë bazë mund të llogarisësh pensionin real jo mbi bazën e pensionit social që ka një formulë me koeficient që rrallëkush e gjen”.
Kryetar i shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”
Pas vendimit të parlamentit të enjten e shkuar, me vetëm 3 vota kundër, paga e një deputeti bëhet rreth 20 herë më e lartë se pensioni mesatar i pleqërisë në qytet. Rritja për deputetët rezulton në rreth 153 mijë lekë më shumë në të ardhurat e tyre, ndërsa indeksimi i një viti më parë për të moshuarit ndikoi në një rritje me vetëm 100 lekë në pensionin mesatar, që arriti në 17 mijë e 350 lekë.