Abuzime të shumta tek institucinet publike ka konstatur Kontrolli i Lartë i Shtetit, të cilat kanë shkaktuar dëm ekonomik në vlerën e 770 milionë eurove. Në raportin e Auditit për vitin 2022, evidentohen parregullsitë që janë bërë me pasuritë shtetërore, shpenzimet, pagat e shpërblimet. KLSH ka adresuar gjithsej 5,420 rekomandime.
770 milionë euro është dëmi ekonomik që institucionet publike i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit. Vetëm në zërin të ardhura e shpenzime, dëmi është 13 mln euro. Sipas llogaritjeve të bëra nga Auditi, këto parregullsi kanë pasur efekt negativ prej 88.5 miliardë lekësh. Sipas KLSH, pasoja ekonomike i referohet detyrimit të shpërblimit monetar të një individi ose subjektit që i shkaktohet entit shtetëror të audituar në lidhje me veprime ose mosveprime në cënim të disiplinës financiare dhe kuadrit rregullator përkatës.
Ndërsa efekti negativ në performancën e subjekteve nën auditim, u referohet efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe menaxhimit.
Por, cilat janë fushat me shkeljet më të larta?
Nëse u referohemi të dhënave të publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, shkelje tek të ardhurat dhe e kategorizuar si dëm ekonomik është ajo e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore së pari.
Sa i takon dëmit ekonomik në shpenzime, fusha që mban rekordin është ajo e investimeve dhe pas saj vijnë pagat, sigurimet dhe shpërblimet. Fushë me shkeljet të mëdha është dhe zbatimi i legjislacionit tatimor në qeverisjen lokale. Shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk i përfshijnë të gjithë institucionet e administratës publike, por vetëm ato që janë audituar sipas programit të parashikuar.
Auditimet janë zhvilluar në 205 subjekte, duke përfshirë institucione të qeverisjes qendrore e rajonale. Sipas KLSH në institucionet e audituara gjatë periudhës janar – dhjetor 2022, KLSH ka adresuar gjithsej 5,420 rekomandime.