Audi AA 003 GB, ritakohet me të zotin

0
323

Nga Basir Çollaku

Tahirin e liruat, ktheni dhe prokurorët në detyrë! Rroftë procedura, poshtë, procedura, apo poshtë mbreti, rroftë mbreti !

Grali juridik në dheun tonë bën mrekulli, nëse je në rrethin e parë politik. Shembuj ka plot. Lirimi i kontrolluar, ashtu si edhe dënimi i kontrolluar i Saimir Tahirit, ishte i pritshëm, madje mendoja se mund të ndodhte në fund të vitit 2022, me ndonjë amnisti paraelektorale, ku do të përfshihej edhe ish-ministri i Brendshëm. Dukej se nuk mban më ujë pilafi, pasi do të bëhej supë dhe në këtë çorbë të madhe penale, lugët e shumta do të trazoheshin keqas. Pas një rezistence të gjatë të drejtësisë, me një sforcim për një akuzë të shpikur, si ajo e shpërdorimit të detyrës, e jo atë realen, trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, ku kushërinjtë e bandës u shumëdënuan nga antimafia italiane, Tahiri u dënua me 3.4 vjet heqje lirie. Dy paketat e cigareve të Visit, porosia me zë para kamerave e avokatit Maks Haxhia u pinë me sa duket dhe tashmë 1.7 vite dënim të mbetur, Tahiri, do t’i vuajë në shtëpi, një masë dënimi kjo e pahasur si precedent në kujtesën penale të gjykatave tona pas moteve 90-ë.

Dy raporte mjekësore për shëndetin e ish-ministrit, të bashkëshortes së tij, pamundësisë për t’u kujdesur për fëmijët dhe sjellja e mirë, janë arsyetimet ligjore përmendur nga avokati, të shërbyera si mjaftueshmëri për lirimin nga qelia të Tahirit. Ndonëse gjykata na thotë se nuk do të dalë nga shtëpia, sërish e njëjta gjykatë na mëson se rifituesi i lirisë do ta ushtrojë këtë kujdes vetëm brenda mureve të banesës, më tej askush nuk di të thotë si do të jetë përkujdesja e pamundësuar nga prindërit, njëri nga shëndeti e tjetri nga dovleti. Por, gjykata jonë zemërmadhe e dëgjueshme, humane, veshpipëz ndaj politikës, ka bërë aq sa mundej. Të tjerat kanë kohë. Dënimet rreth kësaj dosjeje janë të shumta. Në maj 2022, Gjykata e Lartë në Itali, ka dënuar Moisi Habilajn përfundimisht me 15 vjet e 5 muaj heqje lirie, për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal, ndonëse ai është në arrati nga janari i vitit 2021, pasi ishte lënë më herët në arrest shtëpie nw pritje të ecurisë së procesit gjyqsor. Ndërsa me 6 prill 2023, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas ankimimit të të pandehurve, ka vendosur prishjen e vendimit nr 39, datë 18 maj 2021 të Gjykatës së Shkallës së Parë, ku të akuzuarit ishin dënuar me 55 vjet e tetë muaj dhe kthimin e akteve asaj gjykate për rigjykimin e çështjes me një tjetër trup gjykues. Dosja ka prova shqiptaro-italiane ku policia mundi të sekuestronte në Vlorë tonelata kanabis, gati për tregun e vendit fqinj, sipas prokurorisë.

Rasti “Tahiri” ishte kurbani kanabizimit të Shqipërisë dhe këtë licencën saktësisht e kishte marrë Edi Rama, ndërsa ministri nuk ishte më shumë se një kujdestar menaxher, ku lakmia e dalldisi duke e tepruar përtej imagjinatës publike. Një vizitë e Ramës dhe Tahirit, në kulmin e eksporteve të drogës nga Shqipëria nëpër Evropë, në zyrën ovale te presidenti amerikan Barak Obama, shoqëruar nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ishin një symbyllje e veshshurdhërim, për të punuar të shkujdesur. Denoncimi i Dritan Zaganit, për makinën e ministrit e kushot e tij në trafik droge, të shefit të antidrogës së Fierit, solli ndëshkimin kanibal të kallëzuesit, në përpjekje për ta vrarë atë në Vlorë. Antonio Nazeraj e Bledar Naçi janë dy oficerë të tjerë të kësaj dosje të ndëshkuar e përndjekur padrejtësisht, duke i detyruar të marrin arratinë nëpër botë për siguri jete të tyren dhe të familjes. Ndërsa gjashtë prokurorë, tre të padëgjueshëm e tre më të urtë patën pasur fate profesionale tërësisht të kundërta. Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj, Gentian Osmani, kërkuesit në Parlament të arrestimit të Sajmir Tahirit, janë larguar nga detyra nëpërmjet instrumentit të kontrollit qeveritar, Vetting. Urrejtja e Ramës për malokët, sepse nuk u jepte urdhra për beniaminin e tij solli hakmarrjen e mëvonshme. Ndërsa Dritan Prençi, Vladimir Mara e Arenc Çela, harkimi të cilëve shkoi në shpërdorim detyre, janë sot dy në SPAK dhe tjetri drejtues i Prokurorisë së Tiranës. Nderet në këtë dynja lahen.

Ardit Mustafaj ish-gjyqtar i gjykatës së posaçme, kryesues i trupës së Tahirit, ishte kundër dënimit për shpërdorim detyre e rënies së akuzës kërkuar nga prokuroria. Ai është shprehur në vendimmarrje se, nëse do të kishte një riklasifikim të veprës penale ndaj ish-ministrit, detyrimisht duhet të ishte ajo e përkrahjes së organizatave kriminale, për shkak të funksionit të tij publik dhe jo ajo e shpërdorimit të detyrës, sikurse këmbëngulnin dy anëtaret e tjera të trupit gjykues, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj. Më vonë, Mustafaj u largua nga vetting e dy zonjat u konfirmuan në detyrë. Natyrisht, Tahiri ka pasur dhe ka instrumente mbrojtëse e presioni ndaj Ramës për ta detyruar atë të veprojë pas kokëuljes e vajtjes në qeli, për aq kohë sa ndenji. Paranë nuk ia kanë prekur njëri-tjetrit e kjo paqe ka pasur kostot dhe privilegjet e mjaftueshme të saj. Teoritë nuk janë konspirative. Tahiri mund të ritakohet nga sot me audin e tij AA003 GB. Sipas gjykatës, vetëm në garazh ose kur të ikë jashtë shtetit, se nuk lejohet më tej. Gjithnjë teorikisht. E ndoshta bagazhi ka në kujtesën e policisë, fotot që drejtori i drejtorisë së Fierit, shefat e SHKB aty dhe në qendër në ministri, shefat e gjithë vartësit lëpirës në polici, e dinë se çfarë ngarkese ngjyrë kafe kishte, por e mohuan. Natyrisht jo, si Juda Krishtin.

Në një seancë të gjatë, menjëherë pas shpalosjes së argumenteve të tre prokurorëve Arenc Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, Saimir Tahiri për më shumë se dy orë, mbrojti veten me një tabelë, skica e fakte të shkruara në të. E quajti një proces të montuar e të pabazuar në prova dhe kërkoi pafajësi. Në mungesë u bë edhe mbrojtja e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Çela, ndërsa pritet që vendimi përfundimtar i Gjykatës të jepet më 19 shtator.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here