I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme.
Burime diplomatike për REL bëjnë ne dije se vizita pritet të hënën dhe të martën, ku fokusi do të jetë për situatën e tensionuar që vijon prej ditësh në veri të Kosovës.
Prej ditësh në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të efektivëve, e duke sulmuar mediat. Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.