Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot në konferencën për shtyp se gjithçka në PD përcaktohet nga anëtarësia e saj.
“Me përjashtim të dy personave që kanë lidhje të tmerrshme krimi me Edi Ramën, me të gjithë deputetët e tjerë jam gati që kem çdo lloj debati, diskutimi dhe mirëkuptimi.
Sepse ata me një akt themelor, mbështetën kandidatët e primarëve, de facto mbështetën PD-në. Këtu ata investuan në partinë që i përkasin. Ndaj tyre, PD është plotësisht e hapur.
…Gjithçka përcaktohet nga anëtarësia e partisë. Ne kemi një statut më demokratik që mund të ketë sot. Ai statut ka të gjitha hapësirat për çdo iniciativë të anëtarëve të saj.
Unë i qëndroj me korrektesë statutit. Nuk ndërtohet partia mbi bazën e dëshirave, por mbi bazën e rregullave, që respektojnë liritë dhe të drejtat e anëtarëve të saj.
Ka dy përcaktime statusore, njërën që kur kryetari humbet zgjedhjet lokale, votëbesohet. Nuk ka përcaktim aty farsë elektorale apo jo, por zgjedhje. Dhe e dyta, po humbe zgjedhjet e përgjithshme, ai largohet.
Asnjë lloj përcaktimi tjetër jashtë kësaj, nuk i shërben PD-së dhe opozitës,” tha Berisha.