Pse zgjedhjet që mban sot Mali i Zi kanë rëndësi të veçantë ?

0
120

Në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Qendrat e votimit janë hapur në orës 7.00 të mëngjesit të 11 qershorit dhe do të mbyllen në orën 20.00. Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të Malit të Zi të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 542.468 qytetarë.

Në garë marrin pjesë 15 lista zgjedhore të koalicioneve dhe partive, të konfirmuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi. Partitë dhe koalicionet që po marrin pjesë në këto zgjedhje kanë premtuar jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale. Premtime të tilla kanë dominuar të gjithë fushatën elektorale.

Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati tri vjeçare në Mal të Zi ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit. Rezultati i zgjedhjeve mund të prodhojë një qeveri funksionale të cilën Mali i Zi nuk e ka thuajse që nga prilli i vitit 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve, asokohe e udhëhequr nga Millo Gjukanoviç, humbi në zgjedhje.

Media të ndryshme ndërkombëtare dhe analistët politikë ditëve të fundit thanë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e Malit të Zi pasi votuesit do të kenë mundësinë të vendosin për të përkrahur partitë dhe koalicionet, disa përkrahëse të Perëndimit, të tjerat përkrahëse të Serbisë si dhe të tilla mbështetëse të Rusisë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të tregojë nëse Mali i Zi, si një vend i vogël i vogël i Ballkanit Perëndimor, anëtarë i NATO-s, do të ofrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe të avancojë në proceset integruese. Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në 30 vitet e fundit në të cilat nuk merr pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të këtij viti.

Paraprakisht, më 16 mars, tre ditë para se të zhvillohej raundi i parë të zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviç shpërndau Parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke përmendur trazirat e vazhdueshme brenda qeverisë dhe mungesën e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e 11 qershorit, janë zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006. Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012. Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave, i fundit në qershor 2020 dhe mbylli tre.

Çfarë kanë premtuar partitë politike?

Lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiq, gjatë fushatës zgjedhore ka qenë shumë aktiv në dhënien e premtimeve sa i takon rritjes së pagës mesatare të cilën ai premtoi se do ta bëjë 1000 euro. Ndërsa për pagën minimale tha se do të jetë 700 euro. E po ashtu premtoi rritje të pensionit minimal në 450 euro.

Siç shpjegoi ai, parakusht për zbatimin e kësaj është konsolidimi fiskal njëvjeçar dhe reduktimi i shpenzimeve joproduktive deri në 200 milionë euro. Filipoviq vlerëson se koalicionet e tjera, si Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe Fronti Demokratik (DF), premtimet e tyre për paga dhe pensione më të larta i bazuan në shpalljen e reformës tatimore dhe investimeve.

Pankarta elektorale në Mal të Zi – Rritja e pensioneve dhe e pagave është premtuar nga të gjitha partitë gjatë fushatës zgjedhore në Mal të Zi, por nuk është saktësuar nëse një gjë e tillë parashihet në një të ardhme afatshkurtër apo afatgjatë.

Koalicioni i udhëhequr nga DPS-ja, në krye me Danijel Zhivkoviqin, premtoi rritje të pagës bruto për 50 për qind dhe pension minimal prej 350 eurosh. Për rritjen e pagave ka folur edhe Millan Knezheviq, i cili udhëheq dy parti nga Fronti Demokratik pro-serb i përçarë së fundmi në zgjedhje. Edhe Lëvizja për Ndryshim, e cila deri vonë ishte pjesë e FD-së, premtoi se paga mesatare, nëse do të ishte pjesë e Qeverisë, do të ishte më shumë se 1000 euro dhe pensioni mesatar do të ishte 700 euro.

Mungesa e stabilitetit politik

Shumëkush pret që zgjedhjet e 11 qershorit t’i japin fund një periudhe bllokimi politik në të cilën dy qeveritë, të cilat erdhën në pushtet pas protestave të vitit 2020 të mbështetura nga Kisha Ortodokse Serbe, u rrëzuan pas votimit të mosbesimit.

Në vitin 2017, Mali i Zi iu bashkua NATO-s, një vit pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti për të cilin qeveria e atëhershme fajësoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde dhe qeveria serbe mohoi përfshirjen.

Pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Mali i Zi – ndryshe nga Serbia – iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës, dërgoi ndihma në Ukrainë dhe dëboi një numër diplomatësh rusë. Kremlini e ka vendosur Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore. /REL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here