Ndalet “sprinti” i Lekut, valutat e tjera rifitojnë terren për herë të parë pas dy javësh

0
156

Rënia e kursit të këmbimit të Euros me Lekun u ndal sot, pas më shumë se dy javësh.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 106.26 lekë, në rritje nga niveli minimale historik prej 105.62 lekësh që kishte prekur ditën e premte.

Kjo ishte ngritja e parë ditore e kursit të Euros që prej datës 26 maj. Frenimi i rënies së Euros u përcoll edhe në kursin e valutave të tjera kryesore.

Dollari Amerikan, Paundi Britanik dhe Franga Zvicerane shënuan të gjitha rritje krahasuar me fundin e javës së kaluar.

Një rritje e ndjeshme dhe e papritur e kursit të Euros u vërejt qysh në fundjavë. Ditën e shtunë pikat e këmbimit valutor aplikuan një rritje të fortë të kursit të këmbimit të Euros sidomos në shitje, duke zgjeruar marzhet e tregtimit deri në tre pikë, nga më pak se një pikë që kanë qenë zakonisht në dy javët e fundit.

Një situatë e tillë është verifikuar edhe në të shkuarën, për herë të fundit një muaj më parë, në periudhën e zgjedhjeve lokale. Pasi arriti një minimum historik më datën 11 maj, kursi u përmbys me një rritje të shpejtë që vazhdoi afërsisht një javë.

Më tej, kursi i Euros iu kthye rënies, rënie që vazhdoi deri të premten e kaluar.

Sipas ekspertëve, këto lëvizje të forta në drejtime të kundërta duken kryesisht rezultat i faktorëve psikologjikë dhe ndoshta edhe i sjelljeve të mundshme spekulative, më shumë se sa i lëvizjeve thelbësore të kërkesës dhe ofertës në tregun valutor.

Euro u zhvlerësua me një ritëm rekord prej 4.5% në vetëm dy javë, ndërsa të shtunën, në mënyrë të papritur, kursi iu rikthye rritjes.

Ngelet për t’u parë nëse Euro do të arrijë të korrigjojë disi rënien e fortë të dy javëve të shkuara, para fillimit të periudhës kulmore të sezonit veror, mes muajve korrik dhe gusht.

Lëvizjet e forta të kursit në dy muajt e fundit i bëjnë edhe më të vështira parashikimet, megjithëse mbështetur në të dhënat historike Leku pritet të vazhdojë të gëzojë pozita të forta në këtë periudhë të vitit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here