Analisti Fatos Lubonja u shpreh se ndaj Kosovës është folur për sanksioneve, por asgjë nuk është komunikuar deri më tani.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Lubonja theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të ishte mbështetës ndaj Kosovës përballë tensioneve të krijuara në veri, me Serbinë.
Gjithashtu ai ngriti edhe hipotezën e projektit për ndryshimin të kufijve duke theksuar se kjo paanshmëri që sipas tij ka zgjedhur të mbajë kryeministri Rama mund të ketë lidhje me atë projekt.
“Është folur shumë për sanksione dhe nuk e dimë se kush janë protagonistët e sanksioneve. Nëse e marrim si të vërtetë, se Rama ka burim, mendoj që nuk është ky roli i kryeministrit shqiptar. Edhe nëse ka sanksione duhet të takohej me Kurtin, ta njoftonte për burimet që ka dhe të merren masa.
Unë ngre dyshime, se BE dhe SHBA t’i thonë Kosovës, bindu dhe bë çdo gjë që të mos ketë përshkallëzim. Në këtë mes Kosova po konsiderohet si vëllai i vogël, apo si fëmija i vogël që duhet të rrijë urtë sepse ketë këtë tjetrin që mund të na krijojë më shumë probleme. Kryeministri shqiptar në vend që të japë mbështetje, luan të paanshmin. Dhe Rama na ka treguar që ka aftësi të veçanta në intrigë. Kemi është çështjen MC Gonigal ku u tregua se vinte nga një përgatitje në Shqipëri. Rama dihet që ka qenë me Thaçin e ka mbështetur, kanë qenë edhe për ndarjen e Kosovës sipas një projekti që është folur. Mos vallë kemi të bëjmë me atë projekt? Është një hipotezë që e ngre. Por ajo që nuk kuptoj është përse duhet të bëhen gjërat në këtë mënyrë dhe jo transparente. Kush janë ata ekspertët që kanë bërë këtë draft? Përse duhet të na mbahen sekret?”, tha ndër të tjera Lubonja.