Eksperti shqiptar i çështjeve të sigurisë, Ilir Kulla komentoi rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq nga njësitë speciale të ushtrisë së Serbisë dhe heshtjen e ndërkombëtarëve përballë një agresioni të tillë.
Për KosovaPress, ai thekson se Qeveria e Kosovës duhet të bëhet gati të mbrojë vendin me apo pa Aleancën Euroatlantike.
Ai shton se Lista Serbe, e cila dirigjohet nga Beogradi ka marrë përsipër të krijojë një krizë e cila do të çonte në ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e saj.
“Unë të kam thënë para një viti, kur filloi lufta në Ukrainë, se Kosova duhet të bëhet gati dhe të armatoset për një luftë, të stërvitet dhe të jetë e gatshme për një luftë. Me ose pa KFOR-in, me apo pa NATO-n, Qeveria e Kosovës të bëhet gati të mbrojë shtëpinë e vet… Unë mendoj që Kosova ka humbur një vit e gjysmë kohë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, që të përgatitë të madh e të vogël që do të mund të vinte një ditë e një agresioni të mirëfilltë dhe ky mund të jetë sinjali i këtij agresioni të mirëfilltë”, thotë Kulla.
E heshtja e ndërkombëtarëve përballë zhvillimeve në Kosovë, ku serbët që prej 26 majit sulmuan Policinë, KFOR-in dhe gazetarët, ai thotë se dëshmon frikën e tyre nga afrimi i madh i Vuçiçit me Putinin.
“Kjo situatë ka qenë aty, e kanë ditur të gjithë që ka qenë aty, tani veçse është shpërfaqur pasi organizimi politik i Listës Serbe në Kosovë, i cili është drejtpërdrejt një zgjatim i Beogradit, ka marrë përsipër që të fillojë një krizë që do të çojë në ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e saj… (Pas min 2)
Nëse bashkësi ndërkombëtare quhen ata që në të njëjtën kohë pretendojnë të vendosin sanksione edhe ndaj Rusisë edhe ndaj Kosovës, kemi të bëjmë me një realitet gati në dëlirë… Ajo është një pengmarrje e mirëfilltë dhe nuk është se janë marrë peng tre trafikantë siç i quajnë mediat e Beogradit ‘terrorist’. Nëse ndërkombëtarët kanë frikë se Vuçiqi shkon me Rusinë dhe për këtë i shantazhin, kjo tregon se jemi në një epokë tjetër ku fiton më i forti dhe pëson më i dobëti”, thotë ai.