‘Ky është kali që u duhet’: Çfarë u premtoi Rama kuksianëve kur kandidoi Safet Gjicin

0
610

Edhe kuksianëve, ashtu si shumicës së shqiptarëve, socialistët nuk i premtuan shumë në fushatën “tallava” për 14 Majin. Por në sfondin e skandalit seksual, që u konsumua në zyrën e kryetarit të Bashkisë, ia vlen t’i dëgjosh edhe një herë se si e prezantuan Safet Gjicin për ta futur në atë zyrë.

 

Për shembull, në takimin me qytetarë të mbledhur jo vetëm nga Kukësi, por edhe nga Tropoja dhe Hasi, kur fliste për kandidatin, Rama u kërkoi të mos votonin për partinë, por për njeriun që bënte punën. Majde për t’i ngacmuar pak, u përmendte gjinekologun, grave që ishin në takim.

“Nuk shkon te gjinekologu për zemrën. Kështu më rezulton mua. Dini gjë ju që shkojnë te gjinekologu këta për zemrën? Kur do të marrësh hidraulikun se të është prishë çezma, nuk e pyet “ore me kë je ti”, por i thu “hajde vlla më rregullo çezmën”. Pse kryetari i Bashkisë qenka ndryshe? Pse duhet zgjedhur me parti kryetari i Bashkisë?” shprehej Rama.

Safet Gjicin, kryeministri e quante një “KALË” në takimet e fushatës. Kafshën e gjorë, Rama e përmendte në çdo takim, për ta bërë më të qartë se kandidati ishte njeri i punës dhe jo i fjalëve, bash si një kalë.

“Juve (kuksianëve) ju duhet një kalë karroce. Kalë më të mirë se Safeti ju nuk gjeni. Këtë po ua thotë kryekali”, shprehej Rama në fushatë.

 

Kështu siç fliste kryeministri, kur shikonin Safet Gjicin me siguri në mendjen e votuesve ai ngjante si një kafshë punëtore, e palodhur dhe e përulur. Nuk mund të kish asgjë të përbashkët ky imazh, me njeriun që u shfaq në video para gjithë shqiptarëve duke u shtrënguar dhe njollosur tryezën e punës shtetërore.

 

“Rrugët e njësive dhe fshatrave që janë bërë në këto 4 vjet nga safeti me mbështetjen tonë nuk janë bërë në të gjitha vitet të marra bashkë. Kjo është e vërteta”, u thoshte Rama kuksianëve, duke ngritur lart punët e Safet Gjicit në fushatë për t’i bindur t’i jepnin votën.

 

Edhe vetë Gjici, i koordinuar me kryeministrin, ngulmonte në të njëjtën pikë, te puna.

 

“Shumëkush thotë si ka mundësi të vijnë këto investime në Kukës? Si është lidh ky me Edi Ramën? Jam lidh vetëm për një gjë. Edi Rama po e pa që punon, të jep investime. Vetëm te puna. Puna! Puna! Puna!” thoshte kandidati në anën tjetër.

 

Ndërsa flitej kaq shumë për punën, nën tingujt e tallavasë dhe të valleve të zonës, me një administratë shtetërore të angazhuar për fitore, kuksianët i dhanë një mandat tjetër Safet Gjicit. Fitoren e arriti me 1500 vota diferencë me kandidatin kundërshtar.

 

Humbja e mandatit ka qenë traumatike.

 

Socialistët kanë 24 orë që heshtin. Hesht edhe kryeministri Edi Rama. Hesht edhe drejtuesi politik i qarkut, Pandeli Majko. Çështja është se skandali i Gjicit nuk mund të kalojë pa asnjë fjalë.

 

Ata duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kukësit. U premtuan një kalë pune në zyrat e shtetit, jo një hamshor të papërmbajtur mbi dokumentat shtetërorë./LAPSI

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here