Nga Agim Nesho :
Konflikti i fundit në Kosovë sigurisht nuk mbahet nga Albin Kurti, por nga nacionalistët serbë të Vucic që duan të tërheqin vëmendjen nga kërkesat e Perëndimit për një qëndrim të qartë ndaj revanshizmit të Rusisë. Sot Vucic së bashku me Ramën kërkojnë të destabilizojnë Kosovën dhe të kthehen tek rezoluta 1244 (1999) dhe në vitin 1999, ku Rama kërkon ta kthejë për vendim-marrje cështjen e Kosovës.
Për Rusinë Kosova është precedent për të justifikuar politikën ekspansioniste të hapësirave ruse, gjetjen e kompromiseve dhe futjen e cështjes së Kosovës në diskutimet për zgjidhjet e ardhshme në konfliktin në Ukrainë. Putini mbeti duke përmendur Kosovvën dhe hequr paralele me Krimenë, nacionalistët e rinj serbë janë gati për të krijuar një cështje të tillë në Ballkanin Perëndimor.
Cështja e kapjes së tre policëve të forcave policore të Republikës së Kosovës është një provokim i rëndë ndaj shtetit dhe sovranitetit të shtetit dhe vë në diskutim si në rastin e Ukrainës rendin botëror dhe Kartën e OKB-së. Kështu u provokua Kosova me historinë e targave, me historinë e trenit rus apo provokacione të tjera që do bëjnë në të ardhmen, që vijnë nga moskontrolli i një regjimi revizionist si i Serbisë, që kërkon me cdo mjet të bëjë kompromis në dëm të shtetit të Kosovës.
Duan ta rishkruajnë historinë duke i bërë shantazh Kosovës, por historia është shkruar nga heronj të popullit Shqiptar dhe aprovuar nga kolosë të politikës si Klinton dhe Albright.
Loja me Kosovën po bëhet për të mbrojtur interesat e autokratëve të Ballkanit të cilët duan pushtet dhe përfitime të pakufizuara. Ata, lapangjozët e Ballkanit, kërkojnë që Ballkani të ndryshojë duke folur në emër të perëndimit dhe duke i shtruar rrugën e rritjes së influencave Rusisë. Ata duan ta heqin Albin Kurtin dhe ta destabilizojnë Kosovën për hir të Ballkanit të Hapur dhe Jugosllavisë së Re.
Frika nga Republika e KFOR në Veri të Kosovës është vetëm presioni që kërkon ta ulë Kosovën. Është presioni për të rikthyer për diskutim cështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, sic kërkon Rusia. KFOR ishte pjesë e zgjidhjes ushtarake të Rezolutës 1244 (1999), sic ishte UNMIK pjesë e zgjidhjes civile, duke i hequr Serbisë të drejtën për ushtrimin e sovranitetit të saj në Kosovë. KFOR u përcaktua për të mbrojtur interesat dhe sovranitetin e Kosovës ashtu sic u përcaktua edhe në Marrëveshjen e Dorëzimit midis NATO-s dhe Federatës Jugosllave. Serbët nuk duhet të bënin asnjë provokacion ndaj civilëve dhe në hapësirën territoriale të Kosovës.
Por autokratët e rinj duan ta ribëjnë historinë jo për interes të popujve, por të pushtetit të tyre. Ata bashkëpunojnë me Vucic në ‘emër të paqes dhe stabilitetit’ për të shkatërruar Kosovën që po mbron Europën edhe nga raketat kineze të blera kohët e fundit nga serbët apo nga qendrat e spiunazhit rus që kanë mbytur Ballkanin.
‘Republika e KFOR-it’ është një precedent për revanshistët rusë, për të bërë një zgjidhje politike në territoret e pushtuara të Donbas-it. Kosova nuk ka pse të humbë atë që ka fituar edhe pse pazaret Rama-Vucic e kërkojnë dëshpërimisht atë.