Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me situatën e krijuar sot në kampin e Muxhahedinëve në Manzë. Përmes një statusi në facebook Meta shkruan se kjo situatë është një dëshmi e qartë e mugesës së plotë të transparencës dhe profesionalizmit të veprimeve të strukturave shtetërore.
Ndër të tjera Meta thekson se sjellja e dhunshme në mënyrë të vazhduar nga policica e shtetit kërkon veçanërisht evidentimin e të gjithë përgjegjësve të dhunes, si dhe verifikimin me përgjegjësi maksimale ligjore të të gjithë veprimeve të ndërmarra nga strukturat e shtetit, si një detyrim i pakapërcyeshëm për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar.
Postimi i plotë:
Ngjarja tepër e rëndë sot në Kampin ASHRAF të Muxhahedinëve në Manzë është dëshmi e qartë e mugesës së plotë të transparencës dhe profesionalizmit të veprimeve të strukturave shtetërore.
Dhuna e hapur me pasojë humbjen e jetës së një personi dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve është tërësisht e papranueshme dhe provë e përdorimit joproporcional të forcës ndaj një komuniteti, që është mirëpritur në Shqipëri.
Kjo sjellje e dhunshme në vazhdimësi e Policisë së Shtetit kërkon veçanërisht në këtë rast evidentimin e të gjithë përgjegjësve të dhunes, si dhe verifikimin me përgjegjësi maksimale ligjore të të gjithë veprimeve të ndërmarra nga strukturat e shtetit, si një detyrim i pakapërcyeshëm për këtë ngjarje, që ka tronditur opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar.