Nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe kryetari i grupit të këshilltarëve në Bashkinë e Tiranës, Endrit denoncoi sot shkeljen e ligjit dhe rregullores së këtij këshilli mbi procesin solemn të betimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Erion Veliaj, vendosi të shkelë hapur ligjin, duke mos u betuar në sallën e Këshillit Bashkiak, aty ku vetë këshilltarët u betuan dhe aty ku duhet të merrte përgjegjësitë që ia cakton mandati, përpara qytetarëve të Tiranës.
Braktisja e sallës së Këshillit Bashkiak nga Erion Veliaj, tregon mungesën e përgjegjësisë së tij ndaj qytetarëve, arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e një kryetari që vendos të braktisë parlamentin vendor të qytetit, për të shkuar në tarracën personale të tij, aty ku zhvillon hajdutërinë, korrupsionin, babëzinë, në dëm të qytetarëve.
Betimi i Erion Veliajt në tarracën e bashkisë, përpara deputetëve dhe ministrave të maxhorancës, nën hijen e kullave shumëkatëshe, të cilat i ka bekuar me firmën e tij, ishin mesazhi më i qartë i fillimit të mandatit të tij, se ai do të vazhdojë betonizimin, abuzimin, korrupsionin me tendera fiktivë, që do të shkojnë si qoka për ministrat, deputetët dhe ortakët e tij të betonizimit.
Betimi i Erion Veliajt në tarracën e bashkisë thellon paligjshmërinë dhe dhunimin e ligjit, veçanërisht atë të vetëqeverisjes vendore.
Mungesa totale e ligjshmërisë dhe transparencës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku me urdhër dhe regji të Erion Veliajt u bllokua prezenca e mediave në sallën e këshillit, tregon qartë frikën që vjen nga hajdutëria dhe bunkerizimi dhe që është kthyer në modelin e shëmtuar të administrimit të Bashkisë së Tiranës.
Erion Veliaj është i tmerruar nga prezenca e këshilltarëve të opozitës, të cilët do të kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe zgjidhje të problemeve të qytetarëve.
Këshilli Bashkiak është prona e qytetarëve të Tiranës, jo e Erion Veliajt.
Koha e një Këshilli Bashkiak monist, e një kryetari bashkie të bunkerizuar ka marrë fund.
Është koha e transparencës, llogaridhënies dhe e shërbimit deri në fund ndaj qytetarëve.