Një rrjet trafikantësh droge i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptar u çmontua nga Europol dhe Eurojust.
Në pranga përfunduan 35 persona, ndërsa aksioni u shtri në gjermani, Itali dhe Holandë.
Të arrestuarit merreshin kryesisht me trafikun e kokainës dhe kanabist nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Europës.
Rrjeti kriminal po ashtu ishte i përfshirë dhe në raste dhune si dhe në episode torturash dhe rrëmbimesh. Nga hetimet e kryera, të arrestuarit vetëm gjatë periudhës mars 2020 deri në qershor 2021 futën në Europë rreth 1 ton kokainë dhe 1 ton hashash, nga shitja e të cilave gjeneruan më shumë se 1 miliardë euro.
Gjatë operacionit u angazhuan më shumë se 600 efektivë policie ndërsa u kontrolluan më shumë se 51 vende të ndryshme ku ky rrjet kriminal kishte ngritur bazat. Ndërkohë u sekuestruan mbi 1 milion euro cash.
Autorët e kishin shtrirë aktivitetin mes Gjermanisë, Italisë dhe Holandës ku dhe bënin të mundur shpërndarjen e lëndëve narkotike. Drogën kryesisht e transportonin me makina luksoze, ndërsa përdornin dhe aplikacione të ndryshme për të shkëmbyer mesazhet me qëllim që të mos zbuloheshin nga policia.
Të ardhurat e siguruara nga ky aktivitet kriminal, sipas Europol, trafikantët i ndanin sipas roleve përkatëse që kishin në grup.
Madje për të pastruar paratë, ata kishin blerë restorante luksoze në Gjermani si dhe agjenci imobilare të ndryshme. Hetimet ndaj grupit të shqiptarëve nisën në shtator të vitit 2021.