Mjekët e rinj kundër vendimit të qeverisë/ Studenti: Të zbulojnë e shërojnë shkakun ‘pse po ikin mjekët’ e jo t’i mbajnë me zor në Shqipëri !

0
133

Mjekët e rinj janë ngritur në revoltë kundër projektit të qeverisë “Rama” për t’i detyruar të qëndrojnë në Shqipëri në përfundim të studimeve.

Arion Kuçuku, një student i mjekësisë, i ftuar në studion e SYRI TV tha se drafti i qeverisë për t’i mbajtur tri vjet me detyrim në Shqipëri mjekët e rinj ose përndryshe, që t’i paguajnë një gjobë të majme shtetit, është një nismë me efekt bumerang.

“Kjo është qesharake, – tha ai për pagesën që do të duhej të shlyenin mjekët e rinj nëse refuzojnë të qëndrojnë në atdhe, – sepse kjo shifër arrin ato që do të kishte një universitet privat, i cili ofron po të njëjtin program studimi, që është Mjekësia e Përgjithshme.

Së pari, qeveria duhet t’i bëjë pyetjen vetes pse mjekët po largohen dhe duhet të shërojë shkakun që në rrënjë të tij dhe jo në sipërfaqe, duke i detyruar mjekët e ardhshëm që të qëndrojnë në Shqipëri për tre vjet.

Kjo, jo vetëm nuk do ta zgjidhte problemin, por do ta thellonte akoma më shumë dhe do të kthehej në një efekt bumerang sepse të gjithë këta mjekë që janë të detyruar të qëndrojnë për tri vite, do të shikojnë të gjitha problematikat e sistemit shëndetësor dhe nga ana tjetër do të jenë dhe të frustruar psikologjikisht, sepse do të thonë “ mua po më detyron qeveria që të qëndroj këtu, nuk është dëshira ime.”

Madje, më detyron ndofta të shkoj dhe në një vend të largët ku ndoshta nuk kam njohje, nuk kam jetë sociale, nuk kam asgjë, se në kontratë nuk parashikohet vetëm fakti që ne do të qëndrojmë në Shqipëri, por parashikohet që ne do të shkojmë në ato zona ku qeveria ka nevojë, ku vendi ka nevojë që të ketë mjekë.

Unë mendoj dhe jam shumë i bindur që kjo nismë do të kthehet në një efekt bumerang, duke i bërë mjekët që pas këtyre tri viteve shërbim të largohen nga Shqipëria menjëherë dhe do të kemi eksod masiv të mjekëve.

Jo vetëm që nuk do të përmbushë  nevojat që ka qeveria dhe shteti për mjekë, por do të thellohet akoma më tej largimi i mjekëve dhe i studenteve të sapodiplomuar, madje do të thosha që do të largohen edhe maturantët, sepse të gjendur para dy kushteve, dy zgjedhjeve të mundshme – ose qëndrim në Shqipëri, ose pagim i kësaj shifrës marramendëse – do të zgjedhin të studiojnë jashtë dhe  të mos studiojnë në Shqipëri.”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here