Policia e Durrësit ka finalizuar pas një periudhe 5-mujore hetimesh me metoda proaktive për goditjen e një rasti të shitjes në doza, të drogave të forta, ndërsa në pranga kanë rënë dy persona.
Në bazë të provave të siguruara nga hetimi, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, kapën dhe vunë në pranga shtetasit M. M., 25 vjeç dhe E. Gj., 23 vjeç, të dy banues në Xhavzotaj, Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin dhe shitnin doza të lëndës narkotike kokainë, kryesisht në lokalet e natës, në zonën e plazhit të Durrësit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lëndë narkotike kokainë e ndarë në 150 doza, automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, një peshore elektronike dhe 4 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.