Putin: Nuk lejoj luftë civile në Rusi/ CNN: 24 orët e ardhshme, kritike!

0
189

“Kush ecën në rrugën e tradhtisë, do të ndëshkohet. Unë nuk kam për të lejuar një luftë civile në Rusi”, Vladimir Putin e bëri të qartë përmes një fjalimi në orët e para të ditës se rebelimi i grupit mercenar Wagner të drejtuar nga Yevgeni Prigozhin, nuk do të kalohet lehtë.

Edhe pse e pranoi bllokadën e objekteve të rëndësishme në qytetin jugor rus, Rostov ku gjendet shtabi qendror i ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë, Putini tha se ushtria ruse ka marrë urdhrin të veprojë ndaj atyre që organizuan kryengritjen e armatosur.

 

“Trupat tradhëtare të Wagnerit do të ndëshkohen pa vonesë. Rebelimi i tyre është një kërcënim vdekjeprurës për Rusinë. Unë nuk kam për ta lejuar një luftë civile në vend. Thirrjet për kryengritjes janë një thikë pas shpine. Veprime kyce do të ndërmerren për të stabilizuar situatën në Rostov-on-Don”.

Prigozhin ka deklaruar se do të marshojë drejt Moskës, nëse krerët më të lartë ushtarakë nuk takohen me të. Përmes një audio-mesazhi, ai duket se i është kundërpërgjigjur Putinit, duke thënë se trupat e tij nuk po kryejnë tradhti, por janë “patriotë” që po luftojnë për të ardhmen e atdheut. Për CNN-in, presidenti rus po përballet me kërcënimin më serioz deri tani në 23 vitet e pushtetit të tij. Gjithcka për të cilën ka luftuar deri më sot, mund të shembet brenda natës, thotë gjiganti mediatik amerikan, sipas të cilit, 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për Putinin dhe fatin e Rusisë. Zyrtarë ukrainas nxituan ta përshkruajnë këtë situatë si një shenjë të “kolapsit të regjimit të liderit rus”. Volodymyr Zelensky vetë u shpreh se ky moment dëshmon dobësinë e Rusisë.

 

“Rusia përdori propagandën për të maskuar dobësinë e saj dhe marrëzinë e qeverisë së saj. Tani ka aq shumë kaos atje, sa asnjë gënjeshtër nuk e fsheh dot… Dobësia e Rusisë është e dukshme”, tha Zelensky.

Udheheqesi çeçen, Ramzan Kadyrov ashtu si dhe krerët e rajoneve të aneksuara nga Moska në Ukrainë, u zotuan të mbështesin shefin e Kremlinit, duke kujtuar sesi armiqtë ne Perëndim po përfitojnë nga nga ky konflikt i brendshëm. Kreu i Kishës Ortodokse ruse, Patriarku Kiril gjithashtu bëri thirrje për unitet kombëtar dhe i kërkoi luftëtareve te Wagnerit “ta mendojnë këtë punë edhe një herë me kujdes”. “Kur armiqtë po bëjnë cdo gjë që kanë në dorë për të shkatërruar Rusinë, përpjekjet për të mbjelle ndasi në vend janë krimi më i madh, për të cilin nuk ka asnjë justifikim”, u shpreh ai.

Ushtria ruse është vënë sakaq në gatishmëri për luftë ne qytetin e Voronezhit, të ndodhur mes Rostovit dhe Moskës ku sipas BBC, mercenarët e Wagnerit thuhet të kenë marrë gjithashtu nën kontroll disa struktura ushtarake, ndërsa një depoje karburanti i është vënë zjarri. Rusia ka rritur menjëherë sigurinë: interneti është kufizuar ndërsa në rrugët e Moskes janë parë tanke. Prigozhini e akuzoi ushtrinë ruse se ka nisur sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të tij në Ukrainë, ku trupat e Wagnerit luftojnë përkrah trupave të rregullta, por Kremlini e hodhi poshtë një gjë të tillë duke folur për “provokim”.

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here