Përmbytje masive vërshuan mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pejës në Kosovë. Për shkak të vërshimit të ujërave humbi jetën një nënë e re 30-vjeç dhe djali i saj vetëm 5 vjeç. Ngjarja ndodhi në lagjen “Asllan Çeshme” të qytetit. Autoritetet raportojnë edhe për lëndimin e dy personave të tjerë në lagjen “Fidanishte”.
Dëmet materiale janë të konsiderueshme. Fatmir Asllani, nënkryetar në komunën e Pejës ka zbuluar më shumë detaje për humbjen e jetëve. Fillimisht u gjet foshnja dhe më pas nëna e tij të cilën e kishte marrë rrjedha.
“Me aq sa dimë ata kanë qenë në shtëpinë e tyre e cila ka qenë shumë afër bregut të lumit. Për shkak të vërshimit të madh të ujit, shtëpia është shembur. Supozohet se njëfarë dige që ishte ndërtuar në lagje në vitet 50-60 është dëmtuar dhe e ka sjellë vërshimin e ujit. Ata kanë qenë në shtëpi dhe ishin fqinjët e kanë raportuar rastin. Shtëpia duhet me qenë ndërtim i pasluftës. Nëna është gjetur në një shtëpi afër fqinjëve”, – tha Asllani.
Për dy të lënduarit nga këto përmbytje thuhet se nuk bëhet fjalë për plagë të rënda. Ekipet e emergjencave kanë qëndruar deri në 05:00 të mëngjesit duke verifikuar nëpër makinat që ranë në kanal se mos ka persona të zhdukur