Në Shqipëri Gjykata e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi arrestin me burg për ish-kryetarin e Bashkisë së Kukësit Safet Gjici dhe atë të arrestit në shtëpi, për Alma Koçin, gruan e cila u shfaq në një video duke kryer marrëdhënie seksuale me të në zyrën e tij. Ndaj të dyve rëndon akuza për korrupsion, duke qenë se në filmimin e bërë publik, ata kanë biseduar më pas me njëri tjetrin për mbështetjen nga ana e Bashkisë së Kukësit të një projekti të paraqitur nga gruaja, për sterilizimin e qenve të rrugës
Ndërsa ish-kryebashkiaku Gjici, ndodhet prej së shtunës në arrest me burg, Alma Koçi u shfaq në dyert në Gjykatës së posaçme e shoqëruar nga një makinë e policisë. Ajo e përshkoi oborrin deri në hyrje, me fytyrën mbuluar me një çantë, për t’ju shmangur kamerave dhe fotografëve. Gjykata nuk ndryshoi masat e sigurisë ndaj tyre, ndonëse ish-kryebashkiaku mohoi akuzën për korrupsion duke u shprehur se ai e ka marrë dënimin moral, por se nuk ka kryer asnjë vepër penale, përsa kohë projekti i propozuar nga Alma Koci në bisedën e tyre pas konsumimit të aktit seksual, nuk ka marrë ndonjë miratim nga bashkia që ai drejtoi deri 10 ditë më parë, kur u bë publike dhe videoja.
Nga ana tjetër, Koçi, e cila dyshohet se ka realizuar filmimin, kërkoi, siç bëri të ditur më pas avokatja e saj, një masë më të lehtë, atë të detyrimit për paraqitje, duke qenë se duhet të kujdeset për një fëmijë të vogël dhe nënën e saj të sëmurë.
Rreth çështjes, për të cilën Prokuroria e Posaçme rregjistroi procedimin penal që në momentet e para të shfaqjes së videos në rrjetet sociale, po hetohet për të zbuluar shkaqet që çuan gruan të realizonte filmimin me një kamera të fshehtë, apo dhe nëse ka patur ose jo shantazh ndaj ish kryebashkiakut. Prokuroria ka sekuestruar kamerën si dhe telefonin e gruas.
Zoti Gjici mori një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Kukësit në zgjedhjet e 14 majit. Ai njoftoi dorëheqjen pas publikimit të videos, e po atë ditë qeveria bëri të ditur se kishte vendosur shkarkimin e tij. Mbetet e paqartë se përse ky vendim, për 10 ditë, nuk u publikua në Fletoren zyrtare, gjë e cila do i jepte fuqinë e plotë ligjore. Botimi u bë vetëm sot pasdite. Tanimë, nuk ka asnjë arsye që qeveria të mos vijojë me njoftimin e Presidentit për krijimin e vakancës, në mënyrë që të shpallet data e zgjedhjeve të reja për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Kukësit., ndonëse dhe vetëm fakti i dorëheqjes, mjaftonte që ajo të ndërmerrte ne kohë këtë hap./VOA