Shkon në 150 numri i të arrestuarve në Francë, në ditën e dytë të protestave për vrasjen e një 17-vjeçari nga efektivët e policisë. Sakaq është shpallur shtetërrethimi në disa zona të Parisit.
Lajmi është konfirmuar nga ministri i Brendshëm Gérald Darmanin, teksa e cilësoi si një natë të padurueshme dhune kundër simboleve të republikës; bashkive, shkollave e rajoneve të policisë, të cilat u dogjën apo u sulmuan. Protestuesit e zemëruar hodhën fishekzjarrë ndaj policisë, ju vunë zjarrin makinave dhe godinave publike në periferitë rreth Parisit, po gjithashtu edhe në Tuluz, Lilë dhe qyteza të tjera. Mbi 2 mijë policë u mobilizuan në rajonin e Parisit ndërsa në të gjithë vendin rreth 40 mijë agjentë.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili thirri një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me krizën, dhe e cilësoi dhunën e protestuesve si të pajustifikueshme.
Një video e postuar në rrjetet sociale tregoi dy efektive të cilët qëndronin pranë një makine të llojit, Mercedes AMG, me njërin prej tyre që qëlloi për vdekje shoferin adoleshent nga një rreze e afërt. Sipas prokurorëve, i riu kishte refuzuar t’i bindej urdhrit për të ndaluar makinën. Polici që qëlloi adoleshentin po hetohet për vrasje të qëllimshme. Grupe për të drejtat e njeriut flasin për racizëm sistematik brenda agjencive të sundimit të ligjit në Francë, një akuzë të cilën Macron e mohon.