Tregu i punës online u kthye në trend, sidomos për të rinjtë që prej periudhës së pandemisë.
Romina Zogu, me profesion arkitekte, së bashku me kolegen e saj Valeria Baçi janë një rast i tillë.
Teksa flasin në A2 CNN, ato tregojnë se prej një viti punojnë si “freelancer”, duke ofruar shërbimin e tyre edhe për klientët e huaj në platformat online.
Arredimi i një hoteli në Gjermani, është projekti më i madh që kanë ndërmarrë.
“Normalisht, hasëm disa vështirësi në fillim. Shumë aplikime, thuajse 80% ishin negative, por vazhduam përpara derisa kapëm projektet e para”, tregon Romina Zogu.
Valeria Baçi përgjigjet: “Ne tatohemi në një farë mënyre. Nëse ti bën një punë, vetë platforma të mban 10-20% në varësi të projektit. Duke llogaritur edhe tatimin për shtetin, i bie që të më ulet shumë fitimi”.
Përtej orarit fleksibël, pagesat e mira janë disa nga arsyet që i drejtojnë këta të rinj të ofrojnë shërbimin e tyre në platformat ku bizneset ndërlidhen me profesionistë të pavarur (“freelancers”) në të gjithë botën, për punë dhe projekte të vogla ose afatgjata.