SPAK ka lëshuar urdhër-arrest për një oficer të policisë gjyqësore F.L, pasi ka dyshime se ka a marrë përsipër të ushtrojë ndikim dhe ka pranuar shumën monetare të dhënë nga shtetësja T. Ll.
Sipas SPAK, oficeri ka marrë 50 mijë lekë ryshfet për të ndikuar te prokurori i çështjes me të pandehur shtetasin E. Ll.
Ndaj oficerit SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për shtetasit E. Ll dhe T. Ll është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Sipas verifikimeve, rezulton se oficeri i policisë është larguar jashtë vendit.
“Ndërkohë shtetasit E. Ll. dhe T. Ll. duke dhënë shuma monetare (rezulton se ka dhënë më shumë se 50.000 lekë) oficerit të policisë gjyqësore F. L., pasi ky i fundit i ka siguruar se mund të ushtrojë ndikim te funksionarët publikë, sic janë në rastin konkret prokurori/gjyqtari që kanë patur në hetim/gjykim çështjen penale në ngarkim të shtetasit E. Ll., pamvarësisht se shtetasi Ermir Llagaçi, u dënua me burgim, pra pasoja e dëshiruar nuk ka ardhur, vepra penale e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 të Kodit Penal nga ana e tyre konsiderohet e konsumuar. Njëkohësisht E. Ll. i ka paguar avokatit S. A. shumën prej 300.000 lekësh, duke qenë në dijeni se një pjesë e kësaj shume parash konkretisht 150.000 lekë do të jepej nga ana e avokatit me qëllim që ai të ushtronte ndikim te gjyqtarët e Apelit, të cilët ishin tre, dhe secilit do ti jepej shuma prej 50.000 lekësh.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 28.06.2023 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit F. L., i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 4 dhe 295/a të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për të dyshuarit E. LL. Dhe T. LL, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim parashikuar nga Neni 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal.
Masat e sigurimit personal ndaj personave nën hetim E. Ll. dhe T. Ll., janë ekzekutuar më datë 29.06.2023, ndërkohë personi nën hetim F. L., me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton të jetë larguar jashtë vendit, dhe për rrjedhojë ekzekutimi i masës së sigurimit arrest në burg nuk është ekzekutuar”, njofton SPAK.