Mes kostove të larta nga dyfishimi i akcizës dhe lëndës së parë, mungesës së konkurrueshmërisë, uljes së aftësisë blerëse nga rritja e çmimeve dhe emigracioni i të rinjve, industria e birrës po shkon drejt falimentimit muaj pas muaji. Prodhuesit kërkojnë ulje të akcizës. Në 5 muajt e parë të vitit 2023, pesha e birrës së importit në tregun shqiptar ka arritur në 60%, nga 40% në 2015-n.
Nga dita në ditë, prodhimi vendas i birrës po tretet si kripa në ujë. Birra shqiptare vijon të humbë thellë terren në treg edhe me fillimin e sezonit të ri turistik, ndërsa birrat e importit po zgjerohen me shpejtësi në tregun vendas.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, importet e birrës në periudhën janar-maj zënë 60% të konsumit të tregut. Rreth 40% e kërkesës për produktin birrë mbulohet nga prodhimi shqiptar. Në vitin 2022, birrat e importit zinin 51% të tregut dhe në 2015-n, rreth 40% e birrave vinte nga jashtë.
Rritja e peshës së birrës së importit është ndikuar nga humbja e konkurrueshmërisë të birrës vendase. Në periudhën janar-maj 2023 prodhimi vendas është tkurrur 16% kundrejt së njëjtës periudhë të 2022.
Në 8 vitet e fundit (periudha krahasuese 2015-2023) kjo është ulja më e madhe e prodhimit vendas për 5-mujorin, pas tkurrjes së theksuar në periudhën e pandemisë së Covid-19 nga mbyllja e ekonomisë.
Ndërsa birra e importit, pas tendencës së lartë të rritjes (në janar-shkurt importet 2023 u rritën 56% krahasuar me 2022) vijoi të zgjerohet edhe për muajt mara-prill- maj të 2023-it. Për 5-mujorin, importet u rritën me 21%, duke zëvendësuar një pjesë të madhe të tregut, që u la bosh nga prodhuesit.
Njëzëri industrialistët e birrës ngrenë shqetësimin e kostove të larta veçanërisht nga akciza dhe rënia e theksuar e konsumit prej emigracionit.
Fabrikat vendase pohuan se po përballen me rënie shitjesh 15 deri në 30% krahasuar me vjet. Arsyet kryesore, sipas tyre, janë që birra shqiptare ka humbur avantazhin konkurrues të çmimit nga kostot jashtëzakonisht të shtrenjta të ndikuara direkt nga dyfishimi i akcizës, lëndës së parë, karburantit.
Faktor i rëndësishëm që theksohet nga prodhuesit si dizavantazhues në konsum, përveç çmimit të rritur, është edhe largimi masiv i popullatës në emigracion, veçanërisht i grupmoshës 25 deri në 40 vjeç që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të pijeve alkoolike.
Si për prodhuesit e mëdhenj të birrës shqiptare, ashtu edhe për punishtet artizanale, pohohet se sektori është në prag të falimentit. Përfaqësues të shoqatës së birrës vendase dhe të mikronjësive artizanale kërkuan si zgjidhje kthimin e akcizës në nivelet e mëparshme./ Monitor