I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave, me gjasë nga dita e martë, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bindur palët që të kthehen në dialog.
Kështu mëson Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike, ndonëse në BE ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë vizitë.
Në Prishtinë, Lajçak pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.
BE-ja po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.