Policia thotë se ka parandaluar një konflikt mes disa personave, ditën e sotme në plazhin e Llamanit në Himarë.
Mësohet se shkak për i sherrit është bërë konkurrenca mes bizneseve që operojnë në këtë plazh tepër të frekuentuar gjatë sezonit të verës. Sipas policisë pronari 74-vjeçar i një biznesi dërguar dy punonjësit e tij të shpërndajnë fletëpalosje reklama në plazh, duke përfshirë edhe zonën pranë biznesit ngjitur.
Kjo mesa duket ka acaruar pronarët e biznesit tjetër, që janë përgjigjur me dhunë. Policia thotë se ka arritur të parandalojë përshkallëzimin e konfliktit duke kryer shoqërimin e të dyja palëve.
Në videon më poshtë, të publikuar në rrjetet sociale, dallohet momenti kur katër persona zbresin nga makina dhe drejtohen me shkopinj në duar drejt biznesit tjetër, por për fat të mirë në këtë moment ka ndërhyrë një efektiv i policisë.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja në kohë e punonjësve të planëzuar për garantimin e sezonit turistik, në Llaman, Himarë, parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti, për motive të dobëta.
Nisur dhe nga disa pamje filmike të publikuara në media, në lidhje me një konflikt fizik midis disa personave në zonën e Llamanit, sqarojmë se i menjëhershëm ka qënë reagimi i punonjësve të policisë, që patrullojnë në atë sektorë, të cilët pas neutrailizimit të të dyja palëve të përfshira në konflikt, kanë bërë më pas shoqërimin e tyre në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë.
Në vijim të veprimeve në lidhje me rastin, ka rezultuar se shtetasit A. M., 35 vjeç dhe K. M., 24 vjeç, janë konfliktuar fizikisht dhe kanë tentuar të godasin me sende të forta shtetasin Ll. Q., 74 vjeç, pasi ky i fundit ka dërguar dy punonjësit e tij shtetasit R. L dhe R. A., të shpërndanin disa fletëpalosje për të reklamuar biznesin e tij, i cili ndodhet afër me subjektin e palës tjetër të përfshirë në këtë konflikt.
Asnjë nga shtetasit e përfshirë në këtë konfilikt nuk ka ngelur i dëmtuar, pasi konflikti është neutralizuar në kohë nga efektivët e Policisë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë, në përfundim të veprimeve proceduriale do të referojnë materialet në Prokurori, për veprime të mëtejshme.