Për maturantët duket se nuk ka pushime këtë verë. Pas provimeve të maturës dhe procesit të rikorrigjimit, në fund të korrikut do të hapen aplikimet për në universitete.
Arjan Xhelaj, drejtori i rrjetit akademik tregon se të rinjtë po orientohen gjithnjë e më shumë nga tregu i punës.
Vitet e fundit kandidatët po synojnë degët që pas studimeve ju sigurojnë punësimin si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Mjekësia, teknologjia e informacionit dhe infermieria janë programet më të kërkuara nga të rinjtë, ndërsa më pak e dëshiruara është mësuesia. Por me vendimet e reja të qeverisë do të shihet se si do të jetë orientimi i maturantëve të këtij viti.
Për degën e mjekësisë së përgjithshme u rikthye konkursi për përzgjedhjen e kandidateve fitues. Krahas rritjes së kuotave në 500 pranime për këtë degë, qeveria vendosi kushtin që studentët e rinj duhet të punojnë 5 vjet pas studimeve në Shqipëri, në të kundërt nuk u lejohet aplikimi për mjekësi. Ndërsa mësuesia, turizmi dhe bujqësia, si degë prioritare, do të mbështeten më bursë sa paga minimale.
Të rinjve që përzgjedhin këto degë u është hequr kriteri i mestares 8.5 dhe pavarësisht notave që mund të marrin gjatë 3 viteve të studimit bursa mujore nuk u ndërpritet. Referuar kritereve të reja, kuotave dhe aplikimeve për çdo program studimi, në fund të gushtit do të behët shpallja e kandidateve fitues.
Në fillim të muajit shtator nis procesi i regjistrimit në Universitete, i cili do të ketë vetëm dy raunde. Ndërsa më 2 tetor nis viti akademik në të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik.