Edi Rama zotëron pushtet absolut në Shqipëri. Ai është i vetmi kryeministër i këtij vendi që ka dalë në përgjime duke telefonuar gjyqtarë e prokurorë për të dhënë favore në interes të pushtetit të tij.
Është ai dirigjenti i kriminalizimit të shtetit shqiptarë si kurrë më parë. Është ai autori i futjes së kriminelëve në Parlament, bashki dhe Administratën Publike. Është ai që rri për dreka dhe darka me banditë të cilëve u cakton masën e pushtetit që i duhet këtij, kaq dua nga ty, kaq nga ty e me radhë.
Ministrat e deputetët janë thjeshtë gur shahu në pushtetin e tij të kriminalizuar dhe i përdor vetëm për fasadë dhe për t’i hedhur hi syve publikut e socialistëve të ndershëm. Edi Rama ka ardhur në pushtet duke bashkëpunuar me bandat dhe krimin e organizuar dhe rri në pushtet duke bashkëpunuar e bërë shtetin njësh me krimin.
Ky bashkëpunim i tij me krimin ka vrarë votën e lirë në Shqipëri. Mandatet e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive në Shqipëri dalin nga bandat si porosi e Ramës dhe jo nëpërmjet votës.
Por ndërkohë Rama siç kujdeset personalisht për anën e errët të pushtetit të tij, kujdeset edhe për fasadën.
Ai përhap thashethemet, intrigat, ai dirigjon bandat, u jep atyre siguri, ai bën edhe porosit edhe linjën editoriale të mediave që i shërbejnë pushtetit të tij.
Nëpër korridoret e politikës ka kohë që përflitet se Edi Rama i kishte dhënë fjalën Taulant Ballës se do t’i realizonte ëndrrën e tij të kahershme, emërimin Ministër i Brendshëm.
Rama ka studiuar të gjitha korentet brenda forcës së tij politike dhe korentet mes bandave kriminale, që duhet theksuar janë shumë të forta dhe shumë përvëluese nëse nuk i merr në konsideratë, dhe kishte përgatitur që në shtator të bënte disa ndryshime në qeveri, një ndër to ka qenë emërimi i Ballës në Ministrinë e Brendshme.
Stimuloi grupimet brenda mazhorancës që të artikulohen edhe publikisht për këto ndryshime të ‘nevojshme’.
I pari që foli ishte Fatmir Xhafaj, i njohur si përfaqësues i klanit Veliaj në Partinë Socialiste, i cili në një intervistë për A2CNN artikuloi qartë nevojën për ndryshime dhe mungesën e përfaqësimit të gjerë të socialistëve në qeveri.
“Është momenti që të bëjë një reflektim të thellë mazhoranca, në kushtet e këtij realiteti të ri shoqëror dhe politik! Nga artikulimet që ka bërë kryeministri më lë të kuptoj që është i shqetësuar dhe ndoshta po reflekton. Dhe dua ta shoh që të hedhin në tavolinë reflektime serioze. Në disa raste nuk ka nevojë për të bërë disa make up të makinës por edhe për ta rinovuar plotësisht. Shpresoj që të ketë urtësinë ta realizojë,”.- kështu shprehej Xhafa në intervistë, ditën e fundit të muajit qershor.
Deklarata e Xhafajt është shumë e qartë dhe nuk le vend për shumë nënkuptime. Duket që është e koordinuar me Ramën.
Makina (qeveria) duhet rinovuar tërësisht dhe nuk i duhet bërë vetëm make up, tha ai.
Përflitet gjithashtu se Rama ka ndërmend që në shtator t’i japë fund edhe një “rivaliteti” brenda PS, të sajuar po nga vetë ai, mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut, duke larguar këtë të fundit nga posti i ministres së transporteve dhe duke e mbajtur vetëm si zëvendëse të tij, për të mos shuar plotësisht orekset e Veliajt dhe mbajtur gjallë në publik e në PS një rivalitet të paqenë.
Rrajat nuk do të mund të terrorizonin dot kurrë gjithë Krujën e Fushë Krujën pa garancinë personale të Edi Ramës. As Fatmir Xhafaj nuk do mund të artikulohej publikisht me kërkesa për Ramën pa leje.
Prandaj, ngjarja makabër në Fushë Krujë vetëm sa i ka përshpejtuar axhendën Ramës dhe e ka ndihmuar atë që të duket sikur po reflekton duke shkarkuar ministrin Çuçi. Në fakt ai vetëm se bëri një ndryshim 2 muaj para nga ç’e kishte planifikuar.
Pra, Rrajat vetëm sa e detyruan Ramën të përshpjetojë një lëvizje të planifikuar, të cilën ai po e shet si reflektim për ngjarjen./syri