Partia Demokratike ka publikuar prova për manipulimin e procesit zgjedhor të 14 majit nga ana e mazhorancës socialiste në bashkinë e Kuçovës dhe të Beratit. Nga selia blu, Lefter Maliqi, i cili kandidoi për koalicionin “Bashkë fitojmë” denoncoi shkeljet ligjore të kryera gjatë fushatës si dhe më 14 maj nga Policia e Shtetit dhe zyrtarët socialistë. Zija Ismaili, i cili kandidoi në Berat nga radhët e opozitës u shpreh se makineria e pushtetit tjetërsoi vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit.
Pas publikimit të provave për farsën elektorale në bashkinë e Kamzës dhe Vorës, këtë fillim javë Partia Demokratike ka denoncuar manipulimin e zgjedhjeve të 14 majit nga ana e mazhorancës socialiste në Kuçovë dhe Berat.
Nga selia blu, Lefter Maliqi, i cili kandidoi për koalicionin “Bashkë fitojmë”, renditi shkeljet ligjore të kryera gjatë fushatës elektorale si dhe ditën e zgjedhjeve nga ana e Policisë së Shtetit dhe e zyrtarëve socialistë.
Përfaqësuesit e opozitës publikuan dëshmi të qytetarëve të cilët kanë denoncuar asfaltin elektoral.
Edhe në bashkinë e Beratit, sipas Zija Ismailit, i cili kandidoi nga radhët e opozitës Partia Socialiste ka përdorur makinerinë e pushtetit duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve.
Gjatë konferencës për mediet, përfaqësuesit e selisë blu denoncuan faktin se institucionet ligjzbatuese kanë dështuar të respektojnë ligjin dhe Kodin Zgjedhor.