Sipas dosjes hetimore të SPAK, në kohën kur Arben Ahmetaj ushtronte detyrën e ministrit ka bërë “presion” ndaj një punonjëseje të administratës për të miratuar pozitivisht kontratën koncesionare për landfillin në Durrës.
Në dosjen e SPAK nënvizohet se shtetesja Sidita Kopliku (Temali), anëtare në komisionin për zhvillimin e procedurës koncensionare të Tiranës, si përfaqësuese e Agjensisë së Trajtimit të Koncensioneve, ka deklaruar para prokurorëve se ka pasur presione nga Rovena Beqiraj, titullarja e institucionit, duke e nxitur që procedura koncensionare për Tiranën të finalizohej me sukses.
Kopliku ka thënë se, kur ka qenë pjesë e procedurës koncensionare në lidhje me Durrësin ku do të ndërtohej një landfill, si anëtare komisioni, një këshilltar i ministrit, e ka njoftuar që e kërkonte Arben Ahmetaj në zyrë. Kur ka shkuar tek zyra e Ahmetajt, Kopliku ka deklaruar se ministri i ka kërkuar që, në lidhje me procedurën e Durrësit, Sidita ta shikonte dhe ta vlerësonte me pozitivitet, në drejtim të përfundimit me sukses të saj.
“Sidita këtë takim e ka vlerësuar si formë presioni pasi titullar të drejtpërdrejtë ajo kishte kryetarin e Atrako-s. Pas kësaj situate, edhe në rastin e procedurës koncensionare të Tiranës, Sidita është ndjerë në presion për shkak të asaj që kishte ndodhur për Durrësin dhe pasur parasysh edhe nxitjen e kryetares Rovena Beqiraj që kjo procedurë koncensionare e Tiranës të realizohej me sukses”, thuhet në dosjen e SPAK.