Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se SPAK duhet mbështetur që çështjes së ineceneratorëve t’i shkojë deri në fund.
Komentet Bardhi i bëri përmes një deklarate për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohej kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.
Bardhi tha më tej me ironi se nëse do i shkohet deri në fund kësaj çështjeje, mund të krijohet një Grup Parlamentar i PS-së në burg.
“Është rasti që Ahmetaj pasi ka abuzuar me pushtetin dhe ka abuzuar me interesin publik, t’i bëjë një shërbim qytetarëve që i dhanë besim. Akuza e Prokurorisë është për korrupsion pasiv nga Ahmetaj. Kam besim se prokuroria do ta vijojë hetimin edhe për episode të tjera që ndodhen në dosje.
E kam thënë në çdo dalje publike. Dua ta besoj që SPAK ta përmbushë pritshmërinë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ne kemi nevojë për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit.
Mjafton kjo dosje për të krijuar një grup të ri të PS-së te 313 apo te paraburgimi i Durrësit se nuk e di se ku i kanë vendosur. SPAK duhet mbështetur që kësaj çështje, aferës së inceneratorëve, t’i shkojë deri në fund”, është shprehur Bardhi.