“Hyra si i dënuar me 10 vjet burg dhe bëra 28 vite burg”/ Ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!

0
211

Projekti i ISKK-së, “Zërat e kujtesës”, një botim që del prej 12 vitesh, përfshin intervista me dëshmi nga ish të përndjekur politikë. Ky projekt ka mbërritur në vëllimin e 9-të, dhe për drejtuesit e kësaj nisme, nga viti në vit, ka qenë e vështirë mbledhja e dëshmive të dorës së parë. Por, kjo pjesë e personave që kanë mbijetuar nga diktatura, kanë krijuar një database të rëndësishme arkivore, ku fillimisht janë bërë regjistrime audio, dhe më pas janë përmbledhur të zbardhura në libër.

Nga vëllimi i 9-të, që është në proces botimi, kolana 2023, në rrjetin social të ISKK, është botuar një fragment nga intervista e ish të përndjekurit politik, Bajram Dervishi. Dervishi ka dëshmuar për torturat në burgun e Burrelit, Spaçit, Ballshit ku është dënuar, dhe ridënuar.

Për ironi, nga ridënimet Dervishi është shprehur se i ka “borxh komunizmit edhe 15 vite të tjera”, duke treguar se është liruar nga burgu në vitin 1990, duke vazhduar jetën në vetmi të plotë, pa përkrahje.

Më poshtë, kemi marrë fragmentin e intervistës të postuar nga ISKK në rrjetin social të facebook:

Cilat ishin torturat që kanë ushtruar mbi ju në Burrel?

-Po, një lloj mase ishte mungesa e ajrimit, sepse ata mendonin se mos ne shpërthenim burgun e Burrelit dhe shkonim t’i vrisnim. Komunizmi ishte antishqiptar. Kur isha në kampin e Elbasanit, neve na i hoqën emrat. Nuk na thërrisnin më në emër. Unë nuk isha më Bajram Dervishi, unë kisha një numër, 305, në kurriz. Me këtë numër identifikohesha. Ata vepronin sipas kampeve të Hitlerit. Në burgun e Burrelit na mbysnin në hu. Atje kam parë njerëz që janë varur nga uria; Mustafa Bajraktari nga Tropoja, Fadil Dushku nga Elbasani, Lefter Balltovani nga minoriteti grek. Ishte një skëterrë e vërtetë ku njerëzit mbaheshin këmbë e duar të lidhur. Midis këmbëve dhe duarve, hidhej një zinxhir. Të lidhur në këtë mënyrë na dënonin për një muaj dhe duke na rrahur, jo më pak, se tre herë në ditë. E keqja dhe poshtërsia më e madhe e tyre ishte kur na pyesnin; kur e do hurin, para buke apo mbas buke?! Kanë vdekur njerëz duke u rrahur në hu. Regjimi i Enver Hoxhës ishte antishqiptar, antinjeri dhe çnjerëzor që mbi ne dhe popullin shqiptar ka mbjellë dhimbje. Mbasi kalova katër vjet në burgun e Burrelit, kalova në kampin e Spaçit.

Cilat ishin torturat më të zakonshme qe ushtroheshin mbi te denuarit?

-Na rrihnin shumë, po shumë, derisa të këpusnin këmbët…Çoheshim me vështirësi, zvarriteshim, se nuk kishim ç’të bënim. Mbasi më rrihnin, në fillim nuk ndjeja shumë dhimbje. Dhimbjet nisnin më vonë. Në Burrel kishte shumë njerëz pa këmbë. Atje ishte edhe Rexhep Hajdarmata nga Tropoja që nuk i kishte të dyja këmbët. Ai zvarritej për të mbijetuar.

Sot e kësaj dite ne shohim ankthe, ëndrra sikur përmbytemi me komunistët. Nuk i thonë një ditë ose dy ditë, por 28 vjet rresht duke u dhunuar dhe poshtëruar nga vetë shqiptarët. Ne ishim njerëz të pafajshëm dhe ata donin të na trajtonin si tradhëtar, si armiq të kombit por ata ashtu ishin vetë.

Sa herë ju kanë ridënuar?

-Unë jam dënuar 8 herë. Janë të gjitha në dosje. Për çdo fyerje, ose veprim kundër policit, mua më dënonin me 2 vite burg. Dënimin e parë që e mora në Kalanë e Gjirokastrës, me 10 vjet burg, mua ma çuan dënimin në 45 vjet burg. Përfshirë këtu edhe ridënimin, dënimi i dytë, me 10 vjet burg kur thashë se, “kur të vdesë Enveri do shpëtojmë ne”. Pjesa tjetër u shtua 8 herë, me nga 2 vjet. Hyra si i denuar me 10 vjet burg dhe bëra 28 vite burg, duke u ridënuar disa herë. Komunizmit i kam ngelur borxh edhe 15 vjet të tjera!

Kur jeni liruar nga burgu?

-Unë jam liruar në fund të vitit 1990. Kur u lirova mbeta prap rrugëve sepse nuk kisha familje

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here