Nga Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë
Reformimi i taksës së pasurisë ka kaluar në këto momente kohore të ndryshimit. Pas vitit 1992 deri në 2018 ka pasur ndryshime të taksimit të pasurisë ku metodologjia bazohej mbi taksimin për sipërfaqen.
Rezultati i kësaj metodologjie nuk ishte aty ku duhej për sa i përket të ardhurave nga ky model taksimi. Në vitin 2018, qeveria ndërmori me të drejtë veprime ligjore dhe institucionale për ta reformuar sistemin e taksimit të pasurisë.
Metodologjia që u bë detyrim ligjor kishte të bënte me taksimin bazuar mbi vlerën e pasurisë sipas çmimit të referencës të përcaktuar nga qeveria për të gjitha 61 bashkitë dhe njësitë administrative dhe zona të ndryshme.
Ndryshimet ligjore dhe përcaktimet e kësaj metodologjie ishin të mira dhe u investua shumë në të gjitha aspektet. Ligji u jepte mundësi bashkive që në mungesë të të dhënave të pasurive dhe problemeve historike me kadastrën e pronave, dhe veçanërisht kadastrën fiskale, bashkë mund të bënin identifikimin dhe verifikimin e pronave, objekteve të banimit apo për veprimtari ekonomike etj.
Debati i kohës për këtë metodologji ishte vetëm fakti që kush mund të ishte agjenti që do ta mblidhte këtë taksë. U diskutua që mund të ishte OSHEE ajo që do të vilte taksën e pasurive nëpërmjet faturave të energjisë elektrike, por ky opsion u kundërshtua.
Në përfundim përgjegjësia e arkëtimit iu la njësive të qeverisjes vendore. Aktualisht pushteti vendor e mbledh taksën e pasurive të paluajtshme nëpërmjet zyrave të tij dhe ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve.
Me ndryshimin e metodologjisë në vitin 2018 pritshmëritë për arkëtimet ishin të larta nga qeveria. Parashikohej që volumi i të ardhurave nga taksa e pasurisë në tërësi të arrinte deri në 100 milion euro.
Por rezultati është krejt ndryshe. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për vitin 2022, të ardhurat nga kjo taksë nuk arrijnë as të 50% e kësaj pritshmërie (6 mld lekë) e njëjta sasi me 2021.
Nga viti 2018 dhe deri tani duhet pranuar se tregu dhe vlera e pronës ka ndryshuar në kahun e rritjes. Kjo është e dukshme për pasuritë banesa, por edhe toka, pyje apo kullotet etj. Por veç kësaj, urbanizimi dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në konsumimin e tokave bujqësore dhe sipërfaqeve të gjelbra dhe për rrjedhojë një rivlerësim është nevojshëm, pavarësisht se kategorizimi (boniteti) i tokave bujqësore ka mbetur ai i vitit 1985.
Për sa analizuam më sipër më lindin disa pyetje për të cilat është mirë që qeveria të qartësonte qytetarët dhe publikun, për arsyen pse po i rikthehet kësaj teme.
Qeveria ka detyrimin t’i shpjegojë publikut të gjerë pse po bën këto ndryshime pas 5 vitesh, pasi po kjo qeveri i propagandoi si arritje ndryshimet e 2018 mbi taksën e pasurisë.
Çfarë nuk shkojë nga pikëpamja institucionale, administrative, financiare, teknologjike etj? Pse bashkitë nuk arritën te përmbushin objektivat mbi mbledhjen e kësaj takse?
Sipas raportit të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, referuar vitit 2022 ,nga 61 bashki kanë pasur ecuri pozitive vetëm 30 prej tyre, ndërsa 31 prej tyre kanë pasur ecuri jo pozitive krahasuar me vitin 2021 në mbledhjen e të ardhurave nga taksa pasurisë.
Në shkallë kombëtare 46% e taksës së pasurisë mblidhet në Bashkinë e Tiranës që ka një numër shumë të madh ndërtesash. Ndërsa nëse flasim për taksën e tokës bujqësore këtu kemi rezultate fare të dobëta.
Pse kadastra fiskale e financuar vazhdimisht nuk po e përmbush objektivin e pritur për të populluar bazën e të dhënave në të 61 bashkisë për çdo pronë? Nga analiza më sipër e shtrirë në kohë dhe mbi fakte, pyetja që ngre me veten është? Pse po ndryshon pas 5 vitesh metodologjia e taksës së pasurisë?
Taksimi mbi bazën e vlerës së tregut është taksim i drejtë dhe pse kërkon shumë saktësi. Nëse qeveria është nisur thjeshtë për faktin se tregu dhe vlera pronave ka ndryshuar pozitivisht, kjo është pozitive dhe pranohet, por a kanë ndryshuar të ardhurat e poseduesve të pasurive? Me taksimin bazuar mbi vlerën e tregut natyrshëm pritet që pasuritë e çdo lloji do të taksohem më shumë, pra pronarët do paguajnë më shumë.
Çështje tjetër që ngrihet lidhet me faktin që a do jenë në mundësi që këta pronarë që nuk po paguajnë sot taksën që është me e vogël se ajo që do paguajnë nesër, a do jenë në gjendje ta paguajnë atë?
Arsyeja tjetër se po e ndryshojmë pasi bashkitë do të mbledhin më shumë të ardhura për buxhetet lokale, nuk me bind. Kjo për argumentin se bashkitë kishin dhe kanë shanset që ta mbledhin mirë këtë taksë me ligjin aktual. Ato duhet të disiplinojnë veten për sistemin e taksave dhe tarifave dhe të evitojnë evazionin në këtë sektor.
Mendoj që reformimi i sistemit të kësaj takse do merrte një kuptim të plot institucional dhe mirëkuptim për publikun nëse do ishin ezauruar dhe përmbushur objektivat e ligjit që janë në zbatim. Pra, nëse baza e taksa paguesve do ishte zgjeruar konsiderueshëm, madje të arrihej që të gjithë ta kishin paguar.
Kjo do ishte gjëja më e mirë. Zgjerimi i bazës së taksueshme është më e nevojshme sesa rritje e nivelit të taksës. Kultura jonë referuar historisë për të mos paguar para 1990 dhe pas 1990 deri me sot, qëndron në faktin se paguajnë ato që janë mësuar të paguajnë gjithmonë.
Rreziku është se dhe me metodologjinë e re ato që s’kanë paguar fare, do të vijojnë të mos paguajnë. Pra do të ndeshemi me forcën “status quo” ose do të kemi ndryshime dhe përmirësime jo të prekshme.
Kompleksiteti i procesit të taksimit mbi bazën e vlerës së tregut
Reformimi i taksimit të pronës në bashki do të jetë një proces kompleks dhe sfidues. Disa nga sfidat kryesore përfshijnë:
1.Çështjet e vlerësimit: Përcaktimi i vlerës së saktë dhe të drejtë të tregut të pronave. Prona të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme dhe vlerësimi i vlerës së tyre kërkon ekspertizë dhe të dhëna të përditësuara dhe transparencë.
2.Disponueshmëria e të dhënave: Qasja në të dhëna të besueshme dhe gjithëpërfshirëse të pronës është thelbësore për reformat e tatimit në pronë. Megjithatë, bashkitë mund të përballen me sfida në marrjen e të dhënave të sakta dhe të përditësuara për pronat, veçanërisht në rastet kur pronat informale ose të paregjistruara janë kudo në Shqipëri (ndërtime pa leje dhe legalizimi pa përfundim). Të dhënat e pamjaftueshme përbejnë pengese jo të vogël (verifikimi në terren dhe vetëdeklarimi janë të mundshme).
3.Rezistenca ndaj ndryshimit: Reformat e tatimit në pronë shpesh përballen me rezistencë nga pronarët e pronave të cilët mund të jenë të shqetësuar për rritjen e mundshme të taksave ( kjo ngelet për t’u parë nga reagimi tyre).
4.Kapaciteti administrativ: Zbatimi i reformave të tatimit në pronë kërkon personel administrativ të pajisur mirë dhe të trajnuar me programe teknologjie dhe infrastrukturën e nevojshme. Bashkitë kryesisht të vogla dhe të mesme mund të përballen me kufizime të kapaciteteve për sa i përket personelit, teknologjisë dhe burimeve të nevojshme për të administruar në mënyrë efektive sistemet e tatimit në pronë.
5.Kuadri legjislativ dhe rregullator: Reformimi i sistemeve të tatimit në pronë mund të kërkojë ndryshime në legjislacionin dhe rregulloret ekzistuese. Dekretimi i ligjeve të reja ose ndryshimi i atyre ekzistuese mund të jetë një proces kompleks, që përfshin shumë aktorë dhe pengesa të mundshme ligjore, ( shumë mirë nëse do jetë konsensual).
6.Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut: Angazhimi dhe edukimi i publikut për nevojën e reformave të tatimit në pronë është thelbësor. Çdo keqkuptim dhe rezistencë duhet konsiderohet dhe menaxhohet drejtë.
7.Evazioni fiskal dhe Informaliteti: Reformat e tatimit mbi pronën duhet të trajtojnë çështjet e evazionit fiskal dhe pranisë së tregjeve informale të pronave. Transaksionet joformale të pronës dëmtojnë ndjeshëm efektivitetin e sistemeve të tatimit në pronë.
8.Konsiderata ekonomike dhe sociale: Reformat e taksës së pronës duhet të vendosin një ekuilibër ndërmjet gjenerimit të ardhurave për bashkitë dhe marrjes parasysh të ndikimeve ekonomike dhe sociale tek poseduesit e pronave. Adresimi i këtyre sfidave kërkon planifikim të kujdesshëm, angazhim të palëve të interesuara, ngritje kapacitetesh dhe një qasje me faza ndaj reformave të tatimit në pronë.
9.Rezistenca politike: Reformat e tatimit mbi pronën shpesh përfshijnë ndryshime në strukturat ekzistuese tatimore, normat ose vlerësimet, të cilat mund të jenë politikisht të ndjeshme. Pronarët e shtëpive dhe bizneset mund t’u rezistojnë reformave që rezultojnë në rritje të barrës tatimore ose ndryshime në mënyrën e vlerësimit të pronave (duhet arsyetuar e drejtë dhe e orientuar nga e mira publike dhe jo politike).
Vlerësimi kërkon një sistemi të drejtë dhe të saktë për pronën, metodologji e qartë e kuptueshme dhe zbatueshme për çdo kategori poseduesish, pronë dhe cilindo qytetarë, duke mbajtur parasysh aspektet sociale të shoqërisë.
Monitor