Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “arrest shtëpie” për Pëllumb Nikën, administratorin e plazhit në Vilë-Bashtovë, ku u mbytën 3 pjesëtarë të familjes Halilaj. Prokuroria ka ngritur ndaj të arrestuarit Pëllumb Nika akuzat “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Shpërdorim detyre”, pasi sipas akuzës, me lidhjen e kontratës për të ofruar shërbime në plazh, subjekti merr një funksion publik. Sakaq, seanca me kërkesë të mbrojtjes dhe të arrestuarit u zhvillua pa praninë e kamerave.
Para togave të zeza Nika tha se në plazh ishte vendosur një flamur i kuq, ndërsa bovat e thellësisë në ujë i përcakton Bashkia e Rrogozhinës. Ai deklaroi se ka rrezikuar jetën e tij kur tentoi t’i shpëtonte, ndërsa zona ku ndodhi tragjedia ishte nën administrim nga Bashkia.
“Bovat nuk i vendosim ne, por e cakton Bashkia Rrogozhinë hapësirën ujore që i përket çdo plazhi dhe thellësinë ku të vendosen. Unë rrezikova jetën time dhe e kisha një flamur të kuq, po edhe 10 vrojtues të ishin nuk do bënin dot gjë. Nga ana njerëzore, kur pashë që nuk po futej njeri, ma dha Zoti dhe u futa me kajak. Po u fundosa. Zonën ku vdiq i ndjeri dhe fëmijët e ka nën administrim Bashkia. S’do të doja kurrë të ndodhte një gjë e tillë”, tha ai para gjykatës.
Mbrojtja tha se klienti i saj është i trajnuar dhe pse jo si vrojtues plazhi, po si punonjës sigurie dhe fatkeqësia nuk ka ndodhur në hapësirën detare përballë plazhit të tij. Sipas mbrojtjes, Nika ka bërë një akt heroik duke rrezikuar jetën, kur nuk futej askush për ndihmë në një det me dallgë, ndërsa i kishte marrë masat paraprake në plazhin e tij.
Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij ishin vendosur në një nga çadrat e plazhit privat. 55-vjeçari që u mbyt bashkë me dy djemtë e tij 13 dhe 16-vjeç në plazhin Vilë-Bashtovë të dielën, ka lënë pas vajzën e tij dhe bashkëshorten.