Deputetët e mazhorancës janë shfaqur tejet të vendosur për të miratuar zgjatjen e mandatit të Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave brenda këtij sesioni parlamentar, madje duke hequr dorë edhe nga amendamentet e tjera.
Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj kanë paraqitur një projektligj për të ndryshuar ligjin në fuqi për Akademinë e Shkencave, duke kërkuar që kryetari i Akademisë të ketë të drejtë të rrijë mandat pas mandati në krye të institucionit që drejton.
Alademiku Artan Fuga i cili denoncon sitiatën e krijuar, mësohet se dy deputetët i kanë dërguar një letër kryetares së Komisionit të Edukimit, Flutura Açka ku kërkojnë që të miratohet të hënën vetëm amendamenti që lejon kryetarin e Akademisë te kandidojë për një mandat të dytë, përfshi edhe heqjen e kufizimit të moshës, 75 vjeç.Në të njëjtën kohë ata shprehin vullnetin që të tërhiqen nga amendamentet qe kanë bërë për trajtimin financiar të personelit te Akademisë, pasi kjo do të kërkonte më parë një mendim nga qeveria, që mund të marrë shumë kohë dhe të shtyjë miratimin e draftit për në shtator.
Reagimi i Artan Fugës
Skandal i ri në Kuvendin e Shqipërisë: Një gjysma-ligj si një gjysma-gjel!
Cfarë po ndodh me deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj?
Prej shtatë muajsh deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj kanë paraqitur një projektligj për të ndryshuar ligjin në fuqi për Akademinë e Shkencave.
As më shumë dhe as më pak, ata duan që kryetari dhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave të kenë të drejtë të rrinë mandat pas mandati në krye të institucionit që drejtojnë tani, që kryetari të rrijë në post edhe pas 75 vjetësh, çka ligji ua ndalon të gjithë të tjerëve, si edhe propozojnë disa ndryshime financiare për punonjësit e Akademisë së Shkencave.
Me një fjalë duan të shpëtojnë ushtarin Rajan!
Nga që ligjet në Kuvend kërkojnë kohën e tyre, deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj nuk kanë kohë. “Ambulanca” ka ndezur të gjithë dritat dhe fenerët, po u bie të gjitha burimeve të sirenave, merr përpara njerëz, biçikleta, institucione, sepse ushtarit Rajan po i mbarohet oksigjeni.
Akademia e Shkencave ka dalë nga shinat e ligjit dhe të statutit të saj sepse duhej që para gati një muaji të kishte shpallur datën e zgjedhjeve të reja për kryesinë dhe të kishte hyrë në zgjedhje. Por, pa u ndryshuar ligji, kryetari dhe nënkryetari nuk kanë të drejtë të ri-kandidojnë. Këtu fle lepuri! Pra, duhet të hapin krahun! Natyrshëm, sepse nuk i ka askush me tapi ato poste.
Por, jo, ata më mirë pranojnë të bllokojnë institucionin sesa mos të kandidojnë: Me një fjalë kanë kryer uzurpim të Akademisë së Shkencave. E kanë kapur rob!
Në këtë urgjencë flakë e zjarr, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj kanë ndërmarrë një hap të ri skandaloz, në vazhdën e shkeljeve proceduriale që kanë bërë deri tani. Nga rrjetet sociale marr vesh që pardje i paskan dërguar një letër me dy gisht rreshta zonjës Flutura Açka, Kryetare e Komisionit për Mediat dhe Edukimin në Kuvendin e Shqipërisë, ku i kërkojnë që të hënën në datën 17 korrik 2023, ajo të kalojë për votim projekt-ligjin e tyre.
Ata nuk kanë kohë!
Prandaj i thonë zonjës Açka në letër, e zezë mbi të bardhë, që tërhiqen nga të gjitha pikat e tjera të projektligjit që kanë propozuar, dhe thonë gjithashtu se duan të kalojnë vetëm propozimin për atë që kryetari dhe nënkryetari i ASH të kenë të drejtë të kandidojnë përsëri dhe Kryetari të jetë në post edhe pas 75 pranverave!!!
Kuptohet se ajo që kam muaj që e them po del në dritë. Pjesët e tjera të projektligjit janë si një kontorno sallate në një pjatë me peshk. Rëndësi ka peshku, sallata mund të sakrifikohet. Rëndësi ka të ri-kandidojnë kryetari dhe nënkryetari i ASH, që kryetari të jetë në post edhe pas 75 vjetëve, kurse anët e tjera të projektligjit që na vonojnë, i braktisin. Jemi para një skandali të ri!
Natyrisht Rregullorja e Kuvendit u jep të drejtën deputetë që marrin një nismë ligjore që nëse u prishet mendja ta tërheqin atë. Mirëpo, këtu nuk është fjala që deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj po e tërheqin projektligjin që kanë propozuar. Do të kishin bërë goxha mirë! Por, ata nuk bëjnë as më pak dhe as më shumë veçse në fund të procesit e ndryshojnë atë sikurse duan!
Këtë të drejtë nuk u a jep asnjë rregullore.
Përse?
Pasi kanë shtatë muaj që e kanë paraqitur projekt-ligjin e tyre, një çast të vetëm, si një kokëshkrepje, i kërkojnë me ultimatum zonjës Açka, kryetares së Komisionut, që të fusë për debat dhe votim në Komisionin që ajo drejton, një projektligj të ndryshuar! Si ndryshoi mendja e zotërinjve deputetë kështu brenda 24 orësh pas shtatë muajsh këmbëngulje dhe kokëfortësie! Diçka i ka shtyrë, u ka bërë presion, ma do mendja, që kështu, sa hap e mbyll sytë, ndryshojnë propozimin e tyre.
Ata kanë të drejtë ta tërheqin projektligjin, por jo ta ndryshojnë kështu, fët e fët, dhe pa asnjë arsye.
Unë e kam letrën e tyre, është botuar në rrjetet sociale. Nuk japin për besën asnjë arsye për ndryshimin që duan të bëjnë. Thjesht në dy gisht letër, telegrafisht, thonë se tërheqin një pjesë të madhe të projektligjit që kanë paraqitur. Por, ata duhet sipas rregullores ta argumentojnë këtë ndryshim në formulim të propozimit të tyre.
Madje duhet ta ri-depozitojnë projektligjin te ndryshuar te shërbimet e Kryesisë të Kuvendit, ta ri-kalojnë te komisioni i ligjeve dhe vetëm pastaj ta ri-sjellin për debat në Komisionin e Mediave dhe të Edukimit. Ndryshe Kuvendi i Shqipërisë bëhet një mjedis që nuk e merr vesh i pari të dytin.
Rregullorja e bërjes së ligjeve u kërkon që në relacionin që shoqëron projektligjin e tyre të shpjegohet se përse autorët tërhiqen nga pjesë të projektligjit, pra e rishkruajnë atë. Si do ta argumentojnë projektligjin tani kur për pjesën e hequr ata në relacion kanë shkruajtur sesa e domosdoshme ishte ? Sa shumë përputhej me normat e Bashkimit Evropian, dhe sa lart do ta kishte çuar punën dhe veprimtarinë e Akademisë së Shkencave po të merrej parasysh ajo!
Pse nuk durojnë edhe pak deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj kur projektligje të tjera kanë muaj e muaj që flenë në sirtarët e zyrave të Kuvendit?
Si ushtarët në atë filmin amerikan që nxitonin për të shpëtuar ushtarin Rajan! Sepse kryesia e ASH mënjanë ka bllokuar procesin e zgjedhjeve në Akademi. Kjo e fundit ka dalë përfundimisht nga shinat e ligjit. Prandaj duhet vepruar shpejt. Çfarë rëndësie ka ligji, e proçka si këto, hidhen tej të gjithë gjërat që vonojnë! Ligji na duhet nesër! Pasnesër është shumë vonë!
Prandaj kjo letër në formë ultimatumi për zonjën Flutura Açka, pa asnjë argument, pa asnjë relacion të korrigjuar, pa asnjë dëgjesë publike për ndryshimet e bëra, pa respektuar asnjë procedurë të Kuvendit të Shqipërisë: Kalo në votim projektligjin të hënën, asnjë ditë më vonë, pa argumente! Urdhri nuk diskutohet as arsyetohet, por vetëm zbatohet!
Para marrsh! Një ! Dy! Si në Ushtri!
Ndërkohë që Kuvendin e Shqipërisë me ose pa dashje kështu e bëjnë bashkëpunëtor ne pa-ligjësi. E urdhërojnë të aprovojë në mënyrë të parregullt, nën presion, një projektligj, pikërisht në një kohë që duhet të kishte qenë ajo e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, në krizë kohe, një projektligj të gjymtuar nga vetë nismëtarët e tij, sipas një kodi të pashpallur, por që duket qartë:
Ne bllokojmë veprimin e ligjit në fuqi, sepse mbi atë bazë ne nuk mund të kemi përsëri pushtetin në Akademinë e Shkencave,
ju, juve deputetët, nxitoni për të aprovuar me vrap, në kundërshtim me rregullat një gjysma ligj!
Një gjysmagjel! A do të bëhet pjesë e këtij skenari që ka shkelur me këmbë ligjet e Republikës Komisioni i Mediave dhe i Edukimit ditën e hënë?
A mund ta tolerojnë këtë ato ose ata që kanë përgjegjësi për zbatimin e rregullores të Kuvendit?
A do ta gëlltisin këtë çorbë antiligjore që vjen erë të prishur deputetët e ndershëm të Komisionit? Publiku do ta shohë!/bw