Kosova prezanton dronët Bayraktar të blerë nga Turqia/ Ministri i Mbrojtjes: Kosova tani është edhe më e sigurt!

0
138

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti. njoftoi të dielën blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Kurti i cili u shfaq me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, tha se “Kosova tash është edhe më e sigurt”, ndërsa theksoi se tanimë oficerët e Forcës së Sigurisë kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë bërë të ditur numrin e dromëve të blerë e as çmimin e tyre. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, shkroi në rrjetet sociale se dronët Bayraktar “janë lloji më i fundit i armatimit që kemi blerë, posedimi i të cilave kam vlerësuar së është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit tonë”. 
Dronët turq që njihen në treg si të lirë dhe efektiv, janë vleërsuar të rëndësishëm në konfliktet në botë, përfshirë edhe atë në Ukrainë. Shqipëria kohë më parë bleu dronë Bayraktar, ndërsa muajin e kaluar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se ka hequr dorë nga synimi për blerjen e dronëve të tillë, në shenjë proteste ndaj armatosjes së Forcës së Sigurisë së Kosovë nga vendet e NATO-s, posaçërisht nga Turqia.

“Brenda pesë muajsh ne do të marrim disa qindra deri në 1000 dronë kamikaz, në Lindjen e Mesme”,tha presidenti serb Vuçiç, duke lënë të kuptohet se blerjet e tilla do të bëhen nga Irani, ngjashëm me blerjet ruse.

Autoritetet në Kosovë nuk thanë se kur kanë arritur dronët në Kosovë, por jozyrtarisht është thënë se kjo ka ndodhur në muajin maj pak para stërvitjeve ushtarake “Defender Europe 2023”, nga të cilat Kosova u përjashtua për shkak të situatës në veriun e saj të banuar me shumicë serbe, kur për gati dy muaj qytetarët serbë po kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët.

Qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore dhe është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri. Javën e kaluar qeveria e Kosovës është pajtuar të zvogëlojë praninë e forcave policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Zyrtarët evropianë e kanë mirëpritur pajtimin e Kosovës për hapat e parë drejt uljes së tensioneve ndërsa presin përparim të mëtejmë në këtë drejtim. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, pajtimin e Kosovës për shtensionim të situatës i ka quajtur lojë të disave në perëndim që sipas tij kërkojnë një arsye të fajësojë Serbinë dhe të ruajnë “foshnjën e tyre”.

Javën e ardhshme kryenegociatorёt e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall me mbështetjen e perëndimit.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë. /VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here