Zëri i Amerikës ngre alarmin për lumin Buna: Në deltë vijnë mbeturinat e gjithë rajonit!

0
98

Ndryshimet klimatike të viteve të fundit, shoqëruar me luhatjen e temperaturave, reshjeve gjatë periudhave të përmbytjeve, thatësirave apo erozionit, si dhe ndërhyrjet njerëzore në mjedis, sipas përfaqësuesit të REC Albania, Mihallaq Qirjo,po japin ndikimin e tyre edhe në situatën e lumenjve të Shqipërisë si dhe të rajonit të Ballkanit.

“Këto vitet e fundit kanë treguar për një shfrytëzim të paqëndrueshëm të lumenjve dhe i ka bërë ato më të prekshëm dhe më të cënuar për vlerat e tyre”.

Vlerësimet më të fundit mbi gjendjen e lumenjve, sipas raportit të gjendjes së mjedisit, tregojnë se cilësia e ujërave në rrjedhat e sipërme të lumenjve është shumë e mirë, por ajo fillon e cënohet në rrjedhat e poshtme për shkak të ndotjeve që shkaktohen nga hedhja e mbeturinave, derdhja e ujërave të zeza si dhe shfrytëzimi i ujërave nga ndërtimi i heceve apo marrja e inerteve nga shtretërit e lumenjve, thotë Mihallaq Qirjo.

“Situata është shqetësuese, do të thoja unë, sepse nuk duhet t’i referohemi vetëm ndotjeve nga mbetjet plastike, që e shikojmë më shumë në media dhe sy, por edhe cilësisë kimike të ujërave apo sasisë disponibël të ujërave. Gjithashtu, duhet të shikojmë me shqetësim edhe sjelljen e lumenjve në momente ekstreme të thatësirave apo përmbytjeve që na çon drejt dëmeve ekonomike dhe sociale për komunitetet që jetojnë pranë tij”.

Për biologen Aurora Piroviq, rasti i Lumit Buna, ku shkarkohen ujërat e lumenjve Drin, Kir dhe ato të Liqenit të Shkodrës, është tregues i situatës problematike të lumenjve dhe dëmit që atyre po u shkaktohet nga ndërhyrjet njerëzore në mjedis.

“Gjithë ujërat e zeza mblidhen dhe derdhen drejtpërdrejtë në Lumin Buna gjë që shkel legjislacionin shqiptar për zonat e mbrojtura, meqenëse Lumi Buna është pjesë e zonave të mbrojtura dhe, në bazë të konventave ndërkombëtare, është edhe zonë Ramsar” .

Në Lumin Buna, thotë biologia Piroviq, shkarkohen gjithë mbeturinat e pellgut më të madh ujëmbledhës të rajonit, çka e ka bërë atë një nga lumenjtë më të ndotur dhe me ndikim në ekosistemin e zonës ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Mbështetur nga Shërbimi Pyjor Amerikan, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut ka nisur të zbatohet programi për monitorimin e situatës së lumenjve, dhe cilësisë së ujërave të tyre, duke synuar parandalimin e dëmtimit dhe ndotjes së mëtejshme të tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here